Uran Ismaili nënshkruan zotimet e punëve konkrete për secilën lagje, fillon me Dardaninë dhe Lakrishten

  • E.K /
  • 01 October 2021 - 21:23
 Uran Ismaili nënshkruan zotimet e punëve konkrete për secilën lagje, fillon me Dardaninë dhe Lakrishten

Kandidati për Kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili pas disa javësh që ka bujtë nëpër lagje e fshatëra të Prishtinës, tani ka dalë edhe me zotime konkrete për ta.

Sot, ai e ka nisur me lagjet Dardania dhe Lakrishte, ku para dhjetërave banorëve u ka treguar atyre se cila punë do ti kryej në këto lagje deri në vitin 2024.

“Sot jam këtu për një takim jo krejt të zakonshëm. Ky nuk është një tubim si çdo tjetër. E ka një qëllim shumë të qartë edhe një zotim të prekshëm për të gjithë juve. Si qytetar i Prishtinës, çdo ditë të jetës e kaloj në Prishtinë. I njoh problemet dhe streset e përditshme të secilës lagje. Mirëpo, për t’i përjetu ma drejtpërdrejt ato, për disa javë rresht kam bujtë nëpër lagje të ndryshme të Prishtinës. E lagjet tona kanë probleme të shumta, përfshirë edhe Dardaninë e Lakrishten.”, ka thënë Ismaili.

“Por para se të ankohemi, në secilën lagje kemi ndreqë diçka bashkë me banorët. Edhe në Dardani e kemi bërë njësoj”, ka shtuar ai.

Më tej, ai ka treguar me radhë se cilat janë punët konkrete për këto dy lagje.

“Deri në Tetor 2024 bashkë do t’i ndreqim problemet e mëposhtme të lagjeve: Renovim dhe mirëmbajtje për pjesën te Kurrizi, platonë dhe tunelet, Transformim i qendrës së vogël tregtare prapa Santesë, Parking për çdo familje, Pastërti e ndriçim në çdo pjesë të lagjes, Largim i azbestit nga ndërtesat, Shtim i brezave gjelbërues përgjatë rrugëve kryesore dhe ndërtesave, Trajtim i oborrit të Termokiss dhe shkollave të lagjes, Shtim i shtigjeve të reja për çiklistë, Heqje e rrethojave fizike përreth ndërtesave, Trajtim i fasadës së objekteve të banimit, Funksionalizim i nënkalimit mes Dardanisë dhe Lakrishtes, Zgjidhja e problemit të hapësirave të patrajtuara rreth hekurudhës.”, ka përfunduar ai.

(Kosova Sot Online)