Nisin problemet në veri: Serbët po qesin kushte për zhbllokimin e rrugës

  • G.G /
  • 02 October 2021 - 11:00
Nisin problemet në veri: Serbët po qesin kushte për zhbllokimin e rrugës

Në Jarinjë ende po vazhdojnë të qëndrojnë disa barrikada të cilat kanë bllokuar njërën nga korsitë e rrugës, ndërsa policia ende nuk ka marrë urdhër për tërheqje.

Kërkesa e qytetarëve serb është që të largohen policia fillimisht e më pas makineritë e mbetura.

Në vendin e ngjarjes në Bërnjak, raportohet se udhëheqësi i ushtarëve të KFOR-it me të ardhur i ka thënë komandantit të policisë që barrikaduesit rreshtohen në një anë të rrugës dhe ju mund të dilni, por ky plan nuk u ka pëlqyer policëve.

Komandanti i Njësiteve Elitë u ka thënë KFOR-it se nuk largohen dot pa u larguar barrikaduesit, derisa udhëheqësi i KFOR-it ia ka kumtuar se ideja është që të largohen të gjithë bashkë.

“Ashtu e kam urdhrin, ne dalim pas barrikaduesve”, ka thënë komandanti.

Edhe në disa video të gazetës, është kapur një komunikim i policëve të Kosovës e ushtarëve të KFOR-it.

“Nuk mund të largohemi, kur të lirohet rruga atëherë mund të shkojmë”, ka thënë polici.

“Por, ju mund të qëndroni këtu”, ka vazhduar ai komunikimin me ushtarin e KFOR-it.

Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë parasheh që largimi i policisë dhe barrikadave të bëhet prej orës 8 në mëngjes deri në orën 16:00.Në anën tjetër forcat e KFOR-it janë vendosur në pikën e parë, aty ku policia ka ndaluar vazhdimin e barrikadave drejt pikës kufitare Jarinjë.

(Kosova Sot Online)