Ministri Rakiq: Faleminderit o serbë të veriut – pa vendosmërinë tuaj s’do ta arrinim marrëveshjen e Brukselit

  • E.K /
  • 03 October 2021 - 15:18
Ministri Rakiq: Faleminderit o serbë të veriut – pa vendosmërinë tuaj s’do ta arrinim marrëveshjen e Brukselit

Shefi i Listës Serbe, që është edhe ministër për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë Kurti II, ka deklaruar se tensioni i situatës në veri të Kosovës pas reciprocitetit të targave dëshmoi që formimi i Asociacionit [Zajednicës] është i domosdoshëm për stabilitet.

Në një intervistë dhënë mediumit të quajtur “Kosovo Online” ai tha se në pikëpyetje është kredibiltieti i Bashkimit Evropian [BE].

““Tani më shumë se asnjëherë besueshmëria e BE-së po testohet. Formimi i Asociacionit që ka pritur tetë vjet, është treguar më shumë se kurrë, se duhet bërë për të stabilizuar situatën dhe duhet zbatuar marrëveshja e Brukselit. Pa Asociacion nuk ka stabilitet dhe Bashkimi Evropian, si garantues i marrëveshjes, e ka konfirmuar sërish se është obligim i Prishtinës që ta formojë Asociacionin”, ka thënë Rakiq.

Rakiq falenderoi qytetarët serbë që protestuan, duke thënë se pa vendosmërinë e tyre s’do ta arrinin marrëveshjen për targa që u arrit në Bruksel të enjten.

(Kosova Sot Online)