Dëshmitari në rastin e ‘Calit’: Në Zllashë 'mi kanë pas thyer dhëmbët', jam trajtuar nga mjek privat

  • E.K /
  • 05 October 2021 - 11:54
Dëshmitari në rastin e ‘Calit’: Në Zllashë 'mi kanë pas thyer dhëmbët', jam trajtuar nga mjek privat

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon gjykimi i ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, nën pretendimin për kryerje të krimeve të luftës. Aty po dëgjohet dëshmitari i tretë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, i cili po dëshmon nën masa mbrojtëse të sigurisë, identiteti i të cilit nuk bëhet publik.

Pas përfundimit të pyetjeve të ZPS-së dje, dëshmitari Ë01679 po u përgjigjet sot pyetjeve të mbrojtëses së viktimave, Anni Pues.

“Pasojat që sot i barti unë janë psikike, nuk mundem me flejtë, këto përjetime këto gjëra shumë të rënda, shumë të tmerrshme që i barti edhe sot dhe shpesh herë po duhet me ndejt me qetësues ose diçka…Një film me këqyr ose diçka me luftë, unë kur shkoj në mbrëmje me flejtë unë në gjysmë nate bërtas, falë familjes që e kam dhe më kupton, i ka mësu këta gjëra tash, në gjumë bërtas, zgjohem djersitëm shumë, lloj-lloj gjërash, mi kujton këto zërat e njerëzve, këto sene mi kthen krejt”, ka thënë dëshmitari derisa është pyetur nga avokatja Anni Pues.

Salih Mustafa po merr pjesë në këtë seancë përmes video-lidhjes.

Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm

Dëshmitari: Pas maltretimeve në Zllashë, jam trajtuar nga mjek privat

Dëshmitari i tretë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar kundër Salih Mustafës në Hagë ka thënë se si pasojë e maltretimeve që pretendon se i janë bërë në Zllashë, sot vazhdon të përballet me probleme shëndetësore. Megjithatë, para trupit gjykues ai ka thënë se është trajtuar nga mjekë privatë dhe jo në spitale publike në Kosovë.

Derisa u është përgjigjur pyetjeve të mbrojtëses së viktimave Anni Pues, dëshmitari Ë01679 ka thënë se ka dhëmbë artificial meqë sipas tij në Zllashë i janë thyer dhëmbët nga keqtrajtimet që pretendon se i janë bërë.

“Edhe ashtu mi kanë pas thyer dhëmbët, po edhe shkaku i infeksionit, e bëra operimin e i rregullova dhëmbët. Artificial i kam edhe sot”, ka thënë dëshmitari”, ka thënë dëshmitari i mbrojtur.

Në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Hagë, ai ka thënë se të gjitha problemet shëndetësore që i ka sot janë pasojë e keqtrajtimit në Zllashë.

“Krejt prej Zllashit, por jam munduar më shumë me shku privatë shkaku që ti edhe me shku kështu të mjeku ti nuk ke mujt me i thënë një mjekut që më ka torturuar UÇK-ja ose diçka, dhe më shumë kemi shku në mënyra private, veç me kry punë më thjeshtë se kështu më ka shku më shumë nëpër njerëz privatë, nëpër mjekë privatë, shkaku që ti nuk ke mujt me shku te mjeku me i thënë më ka dëmtu UÇK-ja, sepse të ne është më ndryshe, të ne mentaliteti është ndryshe prej vendeve të Evropës, janë këto gjëra që shumë larg jemi me mentalitet, fatkeqësisht një pjesë e shoqërisë është shumë larg me këtë mentalitet. Me pas shku bën vaki i ke pasur edhe këta duke punuar aty se këta i kanë pasur krejt të uzurpuara ato ambulanta, këta janë kanë vet Zot aty”, ka thënë dëshmitari Ë01679.

Dëshmitari i tretë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar po dëshmon nën masa mbrojtëse të sigurisë, identiteti i të cilit nuk bëhet publik.

(Kosova Sot Online)