VDL: E duam Ballkanin Perëndimor në BE, synimi ynë sigurisht që është zgjerimi

  • E.K /
  • 06 October 2021 - 15:06
 VDL: E duam Ballkanin Perëndimor në BE, synimi ynë sigurisht që është zgjerimi

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas samitit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor ka thënë se BE-ja nuk është komplet pa Ballkanin Perëndimor, duke treguar se ky ishte mesazhi i saj i parë që u dha brenda takimit.

Në një konferencë për media, ajo tha se Komisioni Evropian do të vazhdojë të punojë për t’i çuar përpara planet e zgjerimit.

“Mesazhi i Komisionit është shumë i qartë. Ballkani Perëndimor është pjesë e po asaj Evrope që është edhe BE-ja. Kemi të njëjtën histori, ndajmë të njëjtat vlera dhe të njëjtin fat, jam e bindur. BE-ja nuk është komplet pa Ballkanin Perëndimor, prandaj KE-ja do të vazhdojë ta bëjë punën maksimale për t’i çuar përpara planet e zgjerimit”, tha Leyen.

Tutje ajo tha se e duan Ballkanin Perëndimor brenda Bashkimit Evropian.

“Ne e duam Ballkanin Perëndimor brenda BE-së dhe nuk ka dyshim se qëllimi ynë është sigurisht zgjerimi”, tha ajo.

Presidentja e Komisionit Evropian po ashtu theksoi se dialogu është çelësi dhe mënyra për ta rritur bashkëpunimin dhe mirëqenien.

(Kosova Sot Online)