Vaksinat e AstraZeneca-s dërgohen edhe në Antarktik

  • G.G /
  • 07 October 2021 - 08:44
Vaksinat e AstraZeneca-s dërgohen edhe në Antarktik

Nëntë muaj pasi u fut në përdorim, vaksina e kompanisë “AstraZeneca” kundër Covid-19 më në fund ka arritur edhe në Antarktik.

Dozat e kësaj vaksine u dërguan në zonën e largët këtë javë për t’i imunizuar 23 anëtarët e stafit në një stacion kërkimor britanik, i quajtur “Rothera”.

Përpos disa rasteve në një bazë të Kilit, Antarktiku nuk është prekur nga koronavirusi. Agjencitë ndërkombëtare të shkencës duan që ta mbajnë rajonin në këtë gjendje.

Vaksinat u transportuan përmes fluturimeve me ndërprerje në Senegal e Ishujt Falklands. Dozat u desh të mbahen vazhdimisht në një paketim të posaçëm për t’i ruajtur në temperaturë nga 2 deri në 8 gradë.

Doza e parë e vaksinës tashmë u është dhënë shkencëtarëve që qëndrojnë në atë pjesë, inxhinierëve dhe stafit përkrahës. Doza e dytë do të jepet pas katër javësh.

Antarktiku është pjesa më jugore e planetit ku është dërguar vaksina e kompanisë “AstraZeneca”, duke bërë që ilaçi tashmë të ndodhet në të gjitha kontinentet.

(Kosova Sot Online)