KEDS-i fryn faturat, pritet të shtrenjtohet çmimi i energjisë elektrike në Kosovë

  • S.A /
  • 08 October 2021 - 11:54
KEDS-i fryn faturat, pritet të shtrenjtohet çmimi i energjisë elektrike në Kosovë

 

Tashmë, kriza e ashpër energjetike, te shumë shtete të Evropës nuk është më të pragu i derës, por brenda në shtëpi. Në rend të parë, ajo po shprehet me ngritjen enorme të çmimeve të gazit natyror, të karburanteve-naftës dhe benzinës dhe të energjisë elektrike.

E kjo gjendje si duket do ta prek edhe Kosovën shumë shpejt. Këtë e ka paralajmëruar zëdhënësi i KEDS, Viktor Buzhala në një emision.

Buzhala ka bërë të ditur që Kosova nuk është duke prodhuar rrymë të mjaftueshme për gjithë vendin, e në këtë rast janë të detyruar të importojnë nga vendet e jashtme.

Sipas tij kjo do të ngrit edhe çmimin e energjisë elektrike.

“Nuk mund të spekulojmë, pasi janë një sërë faktorësh, sa do të jetë kërkesa për konsum, çfarë temperatura do të mbajnë, sa do të ngrohen qytetarët tanë me energji elektrike, sa do të jenë çmimet e importit, pasi aktualisht janë në stratosferë, janë katërfish më të shtrenjta. Është sinjal jashtëzakonisht i keq për atë që do të mund të ndodhë pas disa muajve. Shumica e konsumit është duke u prodhuar në vend, ende nuk ka nevojë për blerje. Do të shikohet mundësia me të gjithë akterët e përfshirë”, ka thënë zëdhënësi i KEDS, Viktor Buzhala.

Buzhala shtoi se Kosova duhet të ndërtojë termocentralin e ri dhe të tregojë se mund të prodhojë pa e rritur emetimin e dioksidit të karbonit.