Tentuan të trafikonin drogë, arrestohen 4 persona

  • E.K /
  • 10 October 2021 - 10:12
Tentuan të trafikonin drogë, arrestohen 4 persona

Policia e Shtetit njoftoi se kishte finalizuar operacionin policor të koduar “Transportuesit”, zhvilluar nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të narkotikëve.

Sipas njoftimit, në pranga janë vënë 4 shtetas të dyshuar si bashkëautor në këtë veprimtari kriminale, njeri prej të cilëve me precedent të mëparshëm penal, të cilët po synonin trafikimin e drogës përmes kufirit të gjelbër në Konispol drejt Greqisë.

Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të narkotikëve.

Njoftimi zyrtar:

Vihen në pranga 4 shtetas, të dyshuar si bashkëautor në këtë veprimtari kriminale, njeri prej të cilëve me precedent të mëparshëm penal.

Sekuestrohen 9 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis, e ndarë në pako, e destinuar për t’u trafikuar jashtë vendit.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, u finalizua operacioni i koduar “Transportuesit”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

-D. D., 35 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, lindur në Peshkopi dhe banues në Sarandë;
-L. L., 23 vjeç, lindur dhe banues në Bulqizë;
-Y. D., 29 vjeç, lindur në Mat dhe banues në Sarandë;
-F. B., 37 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Sarandë.

Në bazë të informacioneve të grumbulluara se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin aktivitetin kriminal të trafikimit të lëndës narkotike kanabis, menjëherë nga forcat e Policisë u organizuan veprimet dhe u bë e mundur parandalimi i trafikimit të një sasi prej 9 kg lëndë narkotike kanabis, e cila iu është gjetur dhe sekuestruar shtetasve L. L dhe F. B, gjatë tentativës për ta tranportuar në bashkëpunim dhe me 2 shtetasit e tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, me synimin për ta trafikuar jashtë vendit nëpërmjet kufirit të gjelbër, në zonën e Konispolit.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

(Kosova Sot Online)