Sot dalin para gjykatës të arrestuarit për terrorizëm, kaq mund të dënohen nëse shpallen fajtorë

  • E.K /
  • 12 October 2021 - 08:02
 Sot dalin para gjykatës të arrestuarit për terrorizëm, kaq mund të dënohen nëse shpallen fajtorë

Sot pritet të dalin para gjykatës, të arrestuarit që dyshohet se po planifikonin sulme terroriste në Kosovë, Ata janë arrestuar të dielën nga Policia e Kosovës.

Një prej të arrestuarve të dielën, më 10 tetor, është Ardian Gjuraj nga Peja.

Radio Evropa e Lirë ka arritur që të bisedojë me babin e Ardianit, Kujtim Qerkini i cili ka mohuar se djali i tij të ketë qenë i përfshirë në ndonjë veprim apo planifikim të veprave terroriste.

“Absolutisht asgjë të vërtetë nuk ka aty”, thotë Qerkini i cili jeton në Gjermani.

Qerkini u shpreh se nuk i njeh asnjë nga personat e tjerë të arrestuar në aksionin, në të cilin u arrestua djali i tij më 10 tetor.

Qerkini thotë se ka qenë i kënaqur me djalin e tij për të cilin thotë se ka praktikuar fenë si çdo mysliman tjetër.

“Ai fenë e mban si çdokush tjetër. Punon, vjen në shtëpi dhe asgjë nuk ka diçka që mund të them. E dinë Zoti, djali ka qenë shumë në rregull, duke punuar dhe duke u bërë prind”, thotë Qerkini.

Ai ka mohuar në mënyrë kategorike se djali i tij kishte qenë mbështetës i ndonjë grupi ekstremist.

Në komunikatën e Prokurorisë Speciale të Kosovës u tha se gjatë bastisjeve u gjet një dron në njërën nga shtëpitë e të dyshuarave, por Kujtim Qerkini thotë se atë dron e kishte blerë vitin e kaluar në Gjermani për të bërë fotografi në ahengje familjare.

E ky dron, sipas tij u gjet në shtëpinë e tij në qytetin e Pejës gjatë bastisjeve që kreu Policia e Kosovës.

“Unë e kam blerë një dron të vogël 80 euro për të bërë fotografi në Gjermani para një viti. Kam qenë verës (në Kosovë) vajzën e kam martuar dhe e kam marr atje të bëjë fotografi dhe në gazeta shkruan se kanë gjetur dron dhe ta shohësh atë dron është sa grushti. Ai është lodër. Çfarë të them më shumë”, thotë Qerkini.

Qerkini thotë se në shtëpinë e tij në Pejë nuk është konfiskuar asgjë tjetër.

Sa mund të dënohen nëse shpallen fajtorë?

Veprat për të cilat dyshohen të arrestuarit përfshijnë dënime deri në pesë vjet burgim.

Vepra penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, sipas Kodit Penal dënohet me burgim prej një deri në pesë vjet.

Vepra tjetër penale për të cilën dyshohen të arrestuarit është “Kryerja e veprës terroriste”, vepër kjo që dënohet me jo më pak se pesë vjet burgim.

Ndërsa vepra tjetër për të cilën Prokuroria Speciale e Kosovës i akuzon të arrestuarit, “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, dënohet me gjobë deri në 7,500 euro dhe me burgim prej një deri në tetë vjet.

Të arrestuarit dyshohen po ashtu për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Për këtë vepër penale, Kodi Penal i Kosovës thotë se kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind 7,500 euro ose me burgim deri në pesë vjet.

Në njoftimin për media të Prokurorisë Speciale të Kosovës nuk është bërë e ditur nëse të arrestuarit kanë ndonjë lidhje me organizata terroriste.

Mirëpo mediat në Prishtinë kanë raportuar se dy nga pesë të arrestuarit kanë që edhe më parë të arrestuar për dyshime për vepra penale të terrorizimit.

(Kosova Sot Online)