Si mashtruan dhe vodhën 2 milionë nga Thesari i shtetit, e kaluara e errët e Labinot Grudës dhe forma e tij e hajnisë

  • G.G /
  • 12 October 2021 - 16:27
Si mashtruan dhe vodhën 2 milionë nga Thesari i shtetit, e kaluara e errët e Labinot Grudës dhe forma e tij e hajnisë

Student i ekonomisë, probleme me bixhozin e i kërcënuar me jetë. Njihuni me të kaluarën e Labinot Grudës, të dyshuarit kryesor kryesor për avullimin e 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës , gjatë ditës  ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër të pandehurve me iniciale L.G dhe K.SH.

Labinot Gruda. dyshohet se ka bërë transferimin e mbi 2 milionë eurove përmes katër transaksioneve të ndryshme, në llogari të kompanisë, LDA Group Shpk (shoqëri me përgjegjësi të kufizuar), me bazë në Llapushnik, fshat në Komunën e Drenasit.

Aso kohe Syri.net Kosova zbardhi fakte të reja.

Sipas burimit, nga Zyra e Thesarit ka ndodhur vetëm një transaksion, në njërën nga bankat komerciale në Kosovë, nga e cila shuma prej 2.1 milionë eurove është shpërndarë pastaj në katër llogari të ndryshme jashtë Kosovës.

Burimi poashtu për Syri.net Kosova, tregonte se pavarësisht se njëherë u tha se këto mjete janë të bllokuara nga ana e BQK-së, një gjë e tillë është e pamundur.

Kjo pasi, pagesat që bëhen nga Zyra e Thesarit brenda Ministrisë së Financave, nuk kalojnë për verifikim apo procesim në BQK, por vetëm raportohen pas ekzekutimit.

Burimi theksoi se përveç ekzekutimit të pagave të sektorit publik, ku BQK bënë shpërndarjen e mjeteve nëpër bankat komerciale, pagesat tjera nuk e kërkojnë konfirmimin e BQK-së.

E për Grudën me shkollim, Fakultetin Ekonomik, media zbuloi se kishte një të kaluar të errët.

Media , raportoi se i dyshuari për vjedhjen e 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit, ishte i dhënë ndaj lojërave të fatit.

E 'kumora', duket se ndikoi që ky i fundit të kryej veprën e vjedhjes nga kuleta e shtetit.

Kjo pasi, në pamundësi të shlyerjes së detyrimeve të bixhozit, i njëjti ishte futur në fajde, e më pas ishte kërcënuar me jetë shkaku i mos pagesës.

Burimi për Syri.net Kosova, aso kohe tregoi se i dyshuari, pas kryerjes së kësaj vepre, kishte kaluar disa ditë pushime në Shqipëri, pushim ky që e nxiti të ndryshojë mendje për vjedhjen që dyshohet se kreu.

Gruda, pas kthimit nga pushimi, kishte vendosur që të informoj vetë për transferin e 2.2 milionëve nga Thesari i Shtetit, duke pranuar kështu burgun, para kërcënimeve me vdekje.

Duhet përkujtuar që “avullimi” i dy milionë eurove të shtetit pati ndodhur gjatë qeverisjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Pas publikimit të informacioneve lidhur me këtë ngjarje, ministrja e atëhershme Hykmete Bajrami pati deklaruar se janë duke u ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm lidhur me situatën.

(Kosova Sot Online)