Refugjatët afganë e akuzojnë Turqinë për kthim të dhunshëm e të paligjshëm

  • S.A /
  • 14 October 2021 - 11:01
Refugjatët afganë e akuzojnë Turqinë për kthim të dhunshëm e të paligjshëm

Përderisa dielli perëndon nga ana e një lugine në periferi të qytetit Van, në lindje të Turqisë, Muhammdullah Sangeen dhe dhjetëra afganë të tjerë po përgatiten për një natë tjetër me gjumë të vështirë.

22-vjeçari, i cili njërin sy e ka të mavijosur dhe prerje të freskëta në duar, disa ditë më parë arriti nga Irani me ndihmën e trafikuesve. “Nuk jam mirë. Nuk po ndihem njeri”, thotë Sangeen përderisa këmbët i dridhen.

Sangeen, i cili ka luftuar kundër talibanëve pesë vjet si ushtar i ushtrisë kombëtare afgane, thotë se tri herë muajin e kaluar e ka kaluar kufirin Turqi – Iran, rreth 80 kilometra në lindje të qytetit Van, shkruan The Guardian.Në secilin rast, forcat kufitare turke e kapën atë dhe e kthyen në Iran, rrëfen afgani. Ai madje pretendon se gjatë këtij procesi është torturuar.

Kthimi i dhunshëm i refugjatëve është paraqitur në Turqi që nga koha kur talibanët e morën pushtetin në Afganistan, sipas një hulumtimi të gazetës britanike, “The Guardian”, ku përfshihen intervistat me disa viktima të dëbimit, avokatë të të drejtave të njeriut që punojnë në rajon dhe me vëzhgues të pavarur.

Organizata Ndërkombëtare e Emigrantëve tha se në muajt e fundit, rreth 20.000 deri 30.000 refugjatë afganë kanë ikur nga vendi për çdo javë. Sipas Orhan Deniz-it, profesor i migrimit në Universitetin “Van Yüzüncü Yıl”, shumë njerëz po e provojnë udhëtimin 2253-kilometërsh përmes Iranit e Maleve Zagros drejt kufirit turk e brenda qytezave si Başkale, Çaldıran, Saray dhe Özalp.

Automjete ushtarake duke patrulluar përgjatë murit kufitar mes Turqisë e Iranit (Foto: Getty Images)

Megjithatë, Mahmut Kaçan, avokat turk nga Vani, i cili specializon në rastet me refugjatë dhe azil, pretendon se dëbimet e tyre, që përbëjnë shkelje të Konventës së OKB-së për Refugjatët, janë duke ndodhur sistematikisht. “Kjo është 100 për qind duke ndodhur. Ajo që autoritetet turke janë duke bërë është e paligjshme”, thotë ai.

Kaçan shtoi se Drejtoria Provinciale për Menaxhimin e Emigrimit në Van nuk po pranon më aplikacione të reja për azil, përfshirë një të klientes së tij – një infermiere afgane dhe familjes së saj, që janë detyruar të ikin nga talibanët.

“Ata erdhën me pasaporta, por edhe ata u refuzuan. Afganët për momentin janë në rrezik të madh. Ne të gjithë kemi parë mijëra në aeroportin e Kabulit dhe duhet t’i përkrahim”, tha avokati turk.

Një familje emigrantësh, e kapur nga forcat turke, duke u mbajtur në një qendër dëbimi në Van, afër kufirit me Iranin – gusht 2021 (Foto: EPA)

Sangeen, i cili iku nga Kabuli në gusht, vetëm dy ditë pas rënies së qytetit në duart e talibanëve, tha se në male kishte trupa të pajetë të shpërndarë, kur u fut në territorin e Turqisë. Ai thotë se hajnat ia vodhën 150 dollarë, ndërsa forcat kufitare turke ia thyen telefonin për koke, ia dogjën rrobat dhe e shqelmuan në fytyrë. “Jemi në rrezik të madh”, thotë ai.

Një refugjat tjetër pretendoi se i është thyer dora me një helmetë të metaltë nga një ushtar turk, duke bërë që gishtat t’i ënjten dhe t’i infektohen. Të tjerët përmendën rrahje dhe shkatërrim të gjësendeve nga ushtria turke.

Në deklaratën e UNHCR-së, agjenci e Kombeve të Bashkuara për refugjatë, thuhet se ky organ është duke e vëzhguar situatën për së afërmi dhe se së fundi ka lëshuar udhëzime për moskthimin e njerëzve që vijnë nga Afganistani dhe ka bërë thirrje për ndalimin e dëbimeve me forcë ndaj afganëve, përfshirë ata që u është refuzuar kërkesa për azil.

 

(Kosova Sot Online  )