Dënohet me vdekje kinezi që dogji ish-gruan në transmetim “live”

  • A.P /
  • 14 October 2021 - 15:05
Dënohet me vdekje kinezi që dogji ish-gruan në transmetim “live”

Një burrë kinez është dënuar me vdekje, pasi gjykata e shpalli fajtor për vrasjen e ish-bashkëshortes përderisa ajo ishte në transmetim të drejtpërdrejtë në rrjete sociale vitin e kaluar.

Gjykata në Aba Tibetan thanë se Lhamo, një grua tibetiane 30-vjeçare, vdiq në shtator të vitit të kaluar, pasi ish-bashkëshorti i saj, Tang Lu, e lagu me benzinë dhe ia vuri flakën, shkruan The Guardian.

Gjykata e akuzoi burrin për vrasje të qëllimshme dhe tha se metodat e tij kriminale ishin jashtëzakonisht mizore, ndikimi social ka qenë jashtëzakonisht i keq dhe krimi ka qenë jashtëzakonisht serioz.

Rasti i tmerrshëm hodhi dritë mbi dhunën familjare në Kinë dhe për dështimet e vazhdueshme për t’i mbrojtur viktimat, pavarësisht ndryshimit të legjislacionit dhe zotimeve të qeverisë.

Lhamo ishte e popullarizuar në rrjete sociale me qindra mijëra ndjekës në aplikacionin “Douyin”, version i ngjashëm me TikTok-un në Kinë.

Në fillim të shtatorit të vitit të kaluar, Lhamo ishte në transmetim të drejtpërdrejtë nga kuzhina e babait të saj, kur një burrë futet brenda. Raportohet se qindra njerëz që ishin duke e përcjellë gruan e dëgjuan bërtitjen e saj dhe më pas ekrani u errësua.

(Kosova Sot Online)