Dodik sërish kërcënon me ndarjen e Republikës Sërpska

  • A.P /
  • 14 October 2021 - 20:20
Dodik sërish kërcënon me ndarjen e Republikës Sërpska

Nëse Bashkimi Evropian merr vendim për sanksione kundër Republikës Sërpska, ose për përjashtimin e saj nga programet që i ka këtu, le ta dijë se një gjë e tillë “do të ishte data e pavarësisë së Republikës Sërpska”, tha të enjten anëtari serb i Presidencës trepalëshe të Bosnjës, Millorad Dodik.

Duke folur në një konferencë për media, të mbajtur pas takimit të autoriteteve të Republikës Sërpska dhe ambasadorëve të BE-së në Sarajevën Lindore, Dodik tha se paralajmërimi i tij nuk paraqet kërcënim për integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës.

Ne nuk jemi kundër integritetit territorial të Bosnjës, por jemi për pozicionin kushtetues të Bosnjës. Nëse ata mendojnë se mund të kërcënojnë me sanksione, atëherë ne kemi të drejtë në vendimet tona politike. Ky do të ishte reagimi ynë dhe assesi kërcënim”, tha Dodik.

Ai shtoi se Republika Sërpska do t’i merrte të gjitha masat për të rikthyer kompetencat e saj kushtetuese, gjë që, sipas tij, nuk do të ishte shkëputje.

Muajin e kaluar, zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, e ka paralajmëruar Dodikun se kërcënimet e tij për t’u shkëputur nga Bosnja mund të çojnë në izolimin ekonomik të serbëve.

Sipas Dodikut, Escobar ka thënë se ka sanksione të përgatitura.

Republika Sërpska së bashku me Federatën Myslimane-Kroate janë dy entitetet që përbëjnë Bosnje e Hercegovinën.

Ndarja e tillë është bërë me të ashtuquajturën Marrëveshje të Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje, në vitet 1990.

(Kosova Sot Online)