Vjosa Osmani në Këshillin e Sigurimit: Sakrifica jonë është shumë e madhe

  • E.K /
  • 15 October 2021 - 17:26
Vjosa Osmani në Këshillin e Sigurimit: Sakrifica jonë është shumë e madhe

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë fjalimit të saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ka thënë se populli i Kosovës ka bërë sakrificë të madhe, prandaj nuk mund të kthehet tani prapa.

Osmani theksoi se është në atë pozitë, falë sakrificës së popullit të Kosovës e po ashtu edhe me ndihmën e aleatëve.

“Sot 22 vite më vonë, si Presidente e Kosovës, kam privilegjin ta përfaqësoj gjithë popullin tim. E vërteta është se jam këtu para jush falë vendosmërisë së popullit tonë për të parë vendimin tonë të lirë nga presioni e gjenocidi, ta shohin popullin tonë të pavarur e sovran. Kjo është bërë e mundshme e ndihmën e aleateve tanë, ata që besuan në të drejtën tonë, që kanë qëndruar krah neve në ditët tona më të vështira dhe në ato të mira. Të gjithë ju që besuat në neve, ju falënderoj shumë”, tha Osmani.

Ajo theksoi se, “Kemi bërë një rrugë të vështirë që nga atëherë.  E ardhmja jonë është e ndritshme dhe jam e bindur që një ditë do t’i bashkohemi kësaj tryeze si anëtare”, theksoi Osmani.

“Kemi kaluar shumë dhe sakrifica jonë ka qenë shumë e madhe për t’u kthyer tani me hapa prapa. Prandaj, e shohim të ardhmen me forcë, kurajë e besim në vete. E vërteta është se besimi i popullit në institucionet e shtetit nuk ka qenë asnjëherë më i madh”, tha ajo. 

Osmani mes tjerash foli edhe për takimet që u mbajtën 22 vite më parë

"22 vjet më parë unë po i përcillja takimet e Kombeve të Bashkuara mbi fatin e popullit dhe të kombit tonë, ndërsa kërkoja strehim në male për t’i shmangur granatat e Ushtrisë Serbe. Sot, 22 vjet më pas, si presidente e zgjedhur vetëm pak kohë më parë i Republikës së Kosovës, kam privilegjin që ta përfaqësoj popullin tim, GJITHË popullin e Kosovës. E vërteta është kjo: Unë jam sot këtu mes jush për shkak të vendosmërisë, këmbënguljes dhe luftës çlirimtare të popullit tim për ta parë vendin tonë të lirë nga shtypja dhe represioni i një regjimi gjenocidal, për ta parë vendin tonë të pavarur dhe sovran".

(Kosova Sot Online)