Republika po futet në zonë të rrezikshme pa perspektivë, po zbrazet nga migrimi

Republika po futet në zonë të rrezikshme pa perspektivë, po zbrazet nga migrimi
Republika po futet në zonë të rrezikshme pa perspektivë, po zbrazet nga migrimi

Muhamet Kelmendi

  • 15 October 2021 - 06:55

Shkruan: ANALISTI- Muhamet Kelmendi

Ka kohë që ka filluar ikja nga Kosova e shumë qytetarëve.

Ikja nuk bëhet për shkak të vullnetit të emigrimit dhe as pse dëshirojnë të lënë vendin e tyre. Si emigrimi gjatë pushtimit serb me detyrim. Kuptohet se detyrimi nuk është dhe nuk vjen nga dhuna fizike e pushtetit dhe nuk ka lidhje me presione dhe me kërcënime për jetë. Emigrimi bëhet nga faktori ekonomiko-social, politiko-shoqëror dhe humbja e besimit te pushtetarët.

Nga analizat e bëra për shkaqet e emigrimit dalin disa faktor që kanë ndikuar në emigrimin e lartë në Kosovë. Në fakt shumë prej këtyre shkaqeve, janë fakte edhe për emigrimin në Shqipëri dhe tek shqiptarët nën Maqedoni e nën Serbi, në Luginën e Preshevës. Por, për ato shkaqe do të shkruajmë tjetër herë.

Nga shkaqet në Kosovë dalin këto fakte:

1. Faktori politiko-shoqëror-Në Kosovë është krijuar një gjendje politike e shoqërore ku masat e kanë humbur besimin në zgjidhjen politike të çështjeve në pushtet. Duke kaluar pushteti nga një grup politikanësh te grupi tjetër, por duke mbetur gjendja shoqërore e njëjtë, e pandryshueshme, ka krijuar një gjendje shoqërore të rëndë te masat. Ato nuk po besojnë dhe nuk po shohin perspektivë. Kurdoherë ka mbizotëruar dhe po vazhdon e njëjta politikë antipopullore nga pushteti. Pushteti nuk po kujdeset për masat e gjëra. Ato i ka lënë në harresë dhe fare nuk merret me jetën e masave qytetare. Duke e ndier veten me pushtetin e vetë të huaj kanë bërë që masat të injorojnë politiken dhe pushtetin në vend. Kjo, për faktin, se asnjë politikë e partive politike, nuk u ka sjell ndonjë ndryshim në jetën e tyre. Thjeshtë: Masat po injorojnë pushtetin dhe politikën me politikanët injorant ndaj masave, andaj as në zgjedhje nuk dalin. Ka raste kur mbi 40% nuk votojnë fare. Ky mosbesim i lidhur me faktorët ekonomiko-social ka bërë që të kemi emigrime të mëdha jashtë vendit.

2. Faktori ekonomiko-social. Ky është faktori kryesor që po ndikon në emigrim. Kudo kemi papunësi të lartë. Zyrtarisht nuk dalin se janë mbi 20% të papunë. Mirëpo, jo zyrtarisht shifrat janë shumë të larta dhe shkojnë deri në 40%. Në kuadër të këtij faktori është punësimi në sektorin publik dhe privat, ndër faktor shumë të rëndësishëm pse po ikin masat nga vendet e tyre. Në sektorin publik po punësohen njerëzit e grupeve të krijuara dhe që e kanë pushtetin. Aty ndikon shumë subjekti politik, lidhjet familiare dhe mjetet financiare që jepen për punësim. Në sektorin privat kemi eksploatim të madh dhe gjendje skllavërore të të punësuarave. Mbrojtja në punë është e dobët ose nuk ekziston fare. Ka vdekje të shumta. Të ardhurat janë të ulëta. Ato nuk shkojnë më shumë se 300 euro në muaj. Fillojnë me 130 euro e kështu vazhdohet. Puna është e papërcaktuar dhe punohet me 10 a 12 orë në ditë. Kuptohet pa pagesë shtesë dhe shumë rëndë. Mungon sigurimi pensional në të dy sektorët. Të punësuarit nuk kanë as sigurim shëndetësore dhe as invalidore. Kudo, nëpër punë nuk ka mbrojte të nevojshme dhe sipas vendit të punës.

3. Gjendja e rëndë në arsim dhe në edukim Arsimi në Kosovë është shndërruar në një mjet të përfitimit financiar të grupeve të pandërgjegjshme. Kemi shkolla fillore dhe të mesme private me emra të huaj, si sholla amerikane, britanike, gjermane turke etj., që në fakt janë shkolla të vendit, me kuadër të vendit dhe shumë më të dobëta se shkollat publike. Edhe kualifikimi i lartë ka pësuar degradim të madh. Kolegjet e krijuara e kanë degraduar dhe shkatërruar arsimin e kualifikuar të ligjshëm. Kolegjet lëshojnë studentë me diploma që nuk përkojnë me titullin e tyre sa i përket dijes. Kështu kemi krijuar hiperprodhim. Edhe tash po vazhdon e njëjta gjendje. Kudo nëpër kolegje është arsimimi jo adekuat me gjendjen që ekziston në vend. Kolegjet nuk shikojnë nevojat e vendit, por thjeshtë vetëm përfitimet. Kështu kemi hiperprodhim të kuadrove me diploma në ekonomi, në juridik, në edukimin parashkollor, në fushën e medicinës dhe në stomatologji. Kemi kështu të diplomuar që fare dhe kurrë nuk do të punojnë në fushën e diplomuar nëpër kolegje. Në veçanti e ka dëmtuar arsimin Universiteti Evropian i Tiranës, Universiteti Kili dhe Metodi ne Shkup, Universiteti i Evropës Lindore ne Tetove, Universiteti i Sarajevës dhe disa vende në Bosnjë e Hercegovine dhe Universiteti i Strugës. Nëpër këto universitete kanë dalur me mijëra doktorë të shkencave që fare nuk kanë dijeni për kualifikimin e bërë dhe ata tash punojnë nëpër këto kolegje si profesor. Nga këta po dalin kuadrot me diploma në Kosovë. Ky diskriminim në kualifikim ka bërë që masat të krijojnë mosbesim në kualifikim. Tash punojnë njerëzit e kualifikuar me master e diploma të shumta si kamerier për 200 euro. Këto kanë ndikuar që ata të ikin nga vendi i tyre. Kanë shkuar me besim në shkollime dhe tash punojnë në ndërtim, në tregti dhe nëpër hotelieri për shuma qesharake të të ardhurave personale. Kjo ka krijuar mosbesim në vend.

4.Politika e shteteve në BE për njerëz të ri. Shtetet e ndryshme në BE po vuajnë nga mungesa e madhe e njerëzve të ri. Në Gjermani, në shtetet skandinave, në Austri, në Zvicër, në Francë, në Angli etj., kudo ka natalitet të ultë. Tash kemi disproporcion midis moshës së pensionuar dhe atyre që punojnë. Ka disproporcion të lartë. Kudo ka mungesa të kuadrit. Kështu po marrin punëtor e punëtore në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. Natyrisht se marrin njerëz edhe nga vendet tjera. Ky fakt ka bërë që të kemi ikje nga Kosova të shumë të rive. Tash vijnë me kontrata pune dhe me forma tjera. Ka me qindra familje të vendosura në vendet e ndryshme, si në Gjermani, në Zvicër etj. Kërkesat e shteteve për të rijë është e madhe. Shtetet po kërkojnë punëtore për ndërtimtari . Aty nuk kërkohet kualifikim.. Kërkojnë motra medicinale, për kujdestar nëpër shtëpitë e pleqve, mjeke, inxhinierë dhe kuadro tjerë. Tërë këta po i gjejnë në Kosovë, në Shqipëri dhe në Maqedoninë Veriore. Shqiptarët po ikin me shumicë. Faktet e përmendura kanë ndikuar që të kemi ikje masovike nga vendet tona. Këtu po prinë Kosova. Fshatrat e Kosovës janë zbrazur. Në vit po ikin deri në 100 mijë veta. Në perëndim punojnë në vendet më të rënda. Aty ku nuk ka punëtor. Kështu do të rritet emigrimi. Edhe tash nuk kemi masa për të ndaluar ikjen. Pushteti nuk e ka rregulluar gjendjen e punëtoreve në sektorin privat. Nuk ka sigurime. Asnjë sigurim nuk ekziston. Të ardhurat minimalë janë 130 euro në punë. Kush rrinë atëherë në Kosovë? Askush. Ikja po del si mjeti i vetëm i shpëtimit. Gjynah për masat tona.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online"