Të gjitha incidentet që ndodhën gjatë procesit zgjedhor

  • E.K /
  • 18 October 2021 - 10:53
Të gjitha incidentet që ndodhën gjatë procesit zgjedhor

Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh ka dhënë detaje për incidentet e shkaktuara dje gjatë procesit zgjedhor. Incidentet janë raportuar në komuna të ndryshme të vendit.

Siç njofton policia në Fushë Kosovë janë arrestuar tre meshkuj nën dyshimin se, të njëjtit kanë bërë falsifikimin e rezultateve të votave. “Me vendim të prokurorit tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, ka njoftuar policia.

Ndërsa, në Podujevë është hapur një rast “Keqpërdorim i të drejtës së votimit”, pasi ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se, derisa ka shkuar në qendrën e votimit “ka raportuar lidhur me rastin në fjalë. Rasti vazhdon të hetohet”, njofton policia.

Një rast tjetër , “Parandalim i ushtrimit të së drejtës për të votuar”, është hapur në Podujevë.

“Podujevë, 17.10.2021-14:56.  Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se përmes telefonit ka pranuar dy thirrje nga person-a të panjohur të cilët dyshohet se kanë kryer veprën më lartë. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Rasti “keqpërdorim i detyrës zyrtare gjatë votimir”, është hapur në Viti.

“Viti, 17.10.2021-15:00. Ankuesi mashkull  kosovar ka raportuar se derisa ka shkuar në qendrën e votimit  për të kryer obligimin ka raportuar lidhur me rastin në fjalë. Me vendim  të prokurorit, rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, njofton policia.

Ndërsa, në rajonin e Prizrenit janë hapur këto tri raste:

“PENGIM I PROCESIT TË VOTIMIT / Suharekë, 17.10.2021 – 09:28. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se në një qendër të votimit kishte kryer veprën e cekur më lartë. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

CËNIM I FSHEHTËSISË SË VOTIMIT /Prizren, 17.10.2021 – 14:50. Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar, gjatë votimit ka fotografuar fletëvotimin. I dyshuari është shoqëruar në polici dhe pas intervistimit i dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Mamush, 17.10.2021 – 17:15. Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar, gjatë votimit ka fotografuar fletëvotimin. I dyshuari është shoqëruar në polici dhe pas intervistimit i dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, njofton policia.

Në Pejë është hapur një rast: “PENGIM I PROCESIT TË  VOTIMIT & KANOSJE/ Pejë, 17.10.2021-14:30.  Ankuesja femër kosovare ka raportuar se e dyshuara femër kosovare ka kryer veprën më lartë  dhe më pastaj në dalje e ka kanosur verbalisht viktimën.  Është njoftuar prokurori ndërsa rasti në procedure”, thuhet tutje në raportin 24 orësh të policisë.

Në Malishevë është arrestuar një person për pengim të procesit të votimit.

“PENGIM I PROCESIT TË VOTIMIT /Malishevë, 17.10.2021-17:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti gjatë procesit të votimit ka kryer veprën e lartcekur. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, njofton tutje policia.

Në Skenderaj, janë hapur dy raste në polici, njëri për “cënim i fshehtësisë së votimit”, e tjetri për “pengim i procesit të votimit”.

“CENIM I FSHEHTËSISË SË VOTIMIT /Skenderaj 17.10.2021-12:30.  Viktima mashkull kosovar ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga dy të dyshuar meshkuj kosovarë të cilët janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit  janë dërguar në mbajtje.

PENGIM I PROCESIT TË VOTIMIT /Skenderaj, 17.10.2021-17:30. Është raportuar se në qendrën e vend –votimit i dyshuari mashkull kosovar dyshohet se ka kryer veprën e shënuar më lartë . Rasti është duke u hetuar”, ka njoftuar policia. 

(Kosova Sot Online)