Bojken Abazi jep dorëheqjen nga drejtimi i Vetëvendosjes

  • A.P /
  • 18 tetor 2021 - 15:10
Bojken Abazi jep dorëheqjen nga drejtimi i Vetëvendosjes

Bojken Abazi ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri. Lajmin e ka bërë me dije vetë ai përmes një postimi në rrjetet sociale.

Abazi thotë se dorëheqjen e ka dhënë që në datën 15 shtator, duke mbajtur kështu përgjegjësinë për rezultatin e zgjedhjeve të kësaj force politike më 25 prill. Ai thekson se ka pritur që ta bëjë publike por për shkak të situatës në veri dhe zgjedhjeve në Kosovë e ka shtyrë.

“Për hapat e radhës në Shqipëri jemi duke i vazhduar diskutimet,” shprehet Abazi ndër të tjera.

Deklarata e plotë:

Të dielen e kaluam bashkë me Albinin në selinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ndoqëm mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve lokale nëpër komunat e Kosovës dhe diskutuam gjatë: për të ardhmen e Kosovës e Shqipërisë, nevojën për reforma në institucione dhe ekonomi, progresin shoqëror e mbarëkombëtar që nuk përjashton asnjë qytetar, çështje të ndryshme organizative të Lëvizjes sonë, e deri te raportet gjeopolitike në botë.

Në datën 15 shtator unë kam paraqitur dorëheqjen time të parevokueshme nga pozicioni i drejtorit ekzekutiv i Qendrës së Lëvizjes në Shqipëri, gjë që e kisha diskutuar edhe pas zgjedhjeve në Bordin e Qendrës, për të mbajtur përgjegjësitë e mia për rezultatet në Shqipëri. Kam pritur ta bëj këtë gjë publike, për shkak të situatës në veri të Kosovës dhe raundit të parë të zgjedhjeve lokale. Për hapat e radhës në Shqipëri jemi duke i vazhduar diskutimet.

Ndërkohë në Kosovë, nga vendi i tretë në zgjedhjet lokale të vitit 2017, VETËVENDOSJE! tash është e para edhe me votën popullore nëpër komuna në nivel Kosove. Sfidat nuk janë të vogla para 12 balotazheve pas katër javësh, por jemi me shpresë e të angazhuar si rrallë herë më parë. E ardhmja është e Lëvizjes, e shqiptarëve.

(Kosova Sot Online)