Stoltenberg: Një rrezik për sigurinë tonë

  • A.P /
  • 18 tetor 2021 - 16:39
 Stoltenberg: Një rrezik për sigurinë tonë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha për të përditshmen britanike Financial Times se lufta ndaj ndikimit politik dhe ushtarak të Kinës, do të jetë në fokus të aleancës ushtarake në të ardhmen.

Ky kthim drejt Kinës shënon një drejtim të ri për NATO-n dhe vjen teksa blloku perëndimor riorienton strategjinë drejt Azisë.

“Kur është fjala për forcimin e mbrojtjes sonë të përbashkët, aty përfshihet edhe çështja se si të përballemi me rritjen e Kinës”, është shprehur Stoltenberg.

 “Ajo çfarë mund të parashikojmë është se rritja e Kinës do të ndikojë në sigurinë tonë, në mos ka ndikuar”, shton ai.

NATO është fokusuar tradicionalisht tek lufta ndaj ndikimit të Rusisë e pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001, edhe tek terrorizmi. Por tani që aleanca ka përfunduar misionin e saj 20-vjeçar në Afganistan, Stoltenberg nënvizon se më shumë vëmendje duhet të ketë ndikimi gjeopolitik i Pekinit në Amerikën Veriore dhe Europë.

“Kina po na afrohet… Ne e shohim atë në Arktik. E shohim në hapësirë kibernetike. E shohim edhe duke investuar tejet shumë në infrastrukturë kritike në shtetet tona”, është shprehur numri një i aleancës ushtarake.

Komentet e tij vijnë në kohën kur u mësua se Pekini ka testuar një raketë hipersonike me kapacitetet bërthamor në muajin gusht, çka i zuri në befasi zyrtarët amerikanë të inteligjencës, ndërsa tregoi se Kina ka shënuar një përparim më të shpejtë nga sa pritej në gjeneratën e re të armëve.

(Kosova Sot Online)