Haradinaj: Vetëvendosje pësoi debakël në zgjedhjet e 17 tetorit

  • A.P /
  • 18 tetor 2021 - 21:37
Haradinaj: Vetëvendosje pësoi debakël në zgjedhjet e 17 tetorit

Kryetari i AAK’së Ramush Haradinaj ka folur për rezultatin e zgjedhjeve lokale që u mbajtën dje në vend. Ai tha se  Vetëvendosje e Albin Kurtit ka pësuar debakël.

Haradinaj u shpreh se për gjashtë muaj, Vetëvendosje me në krye Albin Kurti pësoi rënie nga 50% në 23%

“Subjekti politik Vetëvendosje në garë nacionale e garë komunale asnjëherë s’ka pasur kaq diferencë të votave. Edhe në kohërat kur (Kurti) thotë se kemi qenë të dytët ose të tretët dallimi i votës në mes të asaj nacionale dhe komunale s’ka qenë kaq i madh”, theksoi Haradinaj.

“Kjo është rënie e pastër”, thotë Haradinaj.

“Ne jemi duke folur për 30 për qind më pak. Partia politike e 50.2 ka rënë në 23. Nuk mendoj se kjo ka të bëjë veç me listë, ose me problemet komunale. Kjo ka të bëjë me qasjen e kryeministrit Kurti dhe Vetëvendosjes, një qasje që është zhgënjyese për shumë qytetarë”, theksoi ai.

“Përgjegjësia është e shefit të partisë, Kurtit”, tha ai.

“Ka mund mi humb 10 për qind, ka qenë qasje mashtruese, ka kritikuar për 20 vjet punësimet familjare dhe e ka bërë si ka ardhur në pushtet”, shtoi ai.

Haradinaj ka komentuar deklarimet e sotme të kryeministrit Albin Kurti, liderit të Vetëvendosjes.

”Shiko ai duhet me thanë diçka. Po mos kofsh në lëkurën e tij tash. Nga 50% me ra në 23% për gjashtë muaj, ky është debakël politik”, tha Haradinaj.

(Kosova Sot Online)