Reagon Meliza Haradinaj-Stublla pas vendimit të Apelit

  • E.K /
  • 19 October 2021 - 11:40
Reagon Meliza Haradinaj-Stublla pas vendimit të Apelit

Ish-Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ka reaguar pasi Gjykata e Apelit e vërtetoi sot aktgjymin e Themelores për rastin e saj.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Haradinaj-Stublla ka thënë se pas 3 viteve përballjeje me një çështje penale absurde, drejtësia triumfoi.

“Pavarësisht koincidencave që është vështirë të injorohen, e për të cilat nuk është momenti të flas sot, tani më shumë se çdo herë tjetër besoj në drejtësi. Janë pikërisht rastet si ky i imi që dëshmojnë më së miri pse duhet të luftojmë e të ndihmojmë secilin e secilën që përkushtohet t’a mbrojë gjyqësorin nga ndikimi politik, e mediat nga instrumentalizimi shantazhues! Gjuetia e shtrigave kundër atyre që NUK PËRSHTATEN duhet të marr fund! E kam thënë shpesh: disa beteja edhe mund t’i humbim rrugës, por luftën do ta fitojmë!”, ka shkruar Haradinaj-Stublla.

Ndryshe, Gjykata e Apelit ka njoftuar se është vërtetuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë në rastin e ish-ministres, Meliza Haradinaj-Stublla.

Sipas këtij aktgjykimi, Haradinaj-Stublla ishte liruar nga akuza, meqenëse nuk është vërtetuar se e njëjta e kryer veprën penale mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare, nga neni 437, paragrafi 2. KPRK.

“Ndaj aktgjykimit të lartcekur, ka paraqitur ankesë Prokuroria Themelore në Prishtinë, duke i propozuar kolegjit penal të Gjykatës së Apelit të Kosovës, që ankesa të aprovohet, ndërsa çështja penale t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim.

Kolegji penal i Gjykatës së Apelit të Kosovës pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore, ka konstatuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë është e pabazuar, pasi që aktgjykimi i lartcekur i Gjykatës së Themelore në Prishtinë, nuk është përfshirë në asnjë shkelje ligjore, për faktin se nga provat e administruara nuk është vërtetuar se e akuzuara M.H.S., ta ketë kryer veprën penale për të cilën ishte akuzuar, andaj edhe me të drejtë është liruar nga akuza”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)