Bislimi: VV nuk bën koalicione

  • A.P /
  • 20 October 2021 - 21:10
Bislimi: VV nuk bën koalicione

Nënkryetari i VV-së, Besnik Bislimi, ka thënë se kandidati i partisë për të parin e Shtimes, Qemajl Aliu, nuk ka udhëzime nga kryesia e VV-së që të negociojë ndonjë koalicion për balotazhin e 14 nëntorit.

Aliu ka arritur të dalë i pari me 45.10 përqind kundër kandidatit të PDK-së, Naim Ismajli që ka 44.64 përqind, në zgjedhjet e 17 tetorit.

Bislimi ka thënë se për këtë qëllim, secilit kandidat të VV-së që ka shkuar në balotazh i nevojitet miratimi nga niveli qendror.

“Ka thënë edhe kandidati i AAK-së në Istog se e ka siguruar mbështetjen e VV-së, por unë ju siguroj që ai nuk e ka siguruar dhe që nuk mund ta sigurojë atë. Unë mund të them që deri sot nuk kemi kurrfarë kërkese nga niveli lokal që të diskutojmë koalicionet”, ka thënë Bislimi.

Sipas tij, VV-ja nuk do të bëjë koalicione vetëm për pazare, duke ndarë siç ka thënë drejtoritë në këmbim të votave.

“Nuk do të ketë koalicione joparimore, nuk do të ketë koalicione që nënkuptojnë vetëm pazare, më jep kaq drejtori unë të votojë e të tilla, ne nuk bëjmë koalicione të tilla, por nëse ka bashkëbisedime për bashkëqeverisje të mundshme në të ardhmen me ç’rast shpërndarja e fuqisë politike është proporcionale me rezultatin e zgjedhjeve, ne nuk kemi frikë nga një bashkëpunim i tillë sepse është garë. Unë e kam të qartë që Qemajl Aliu me siguri të plotë do t’i fitojë zgjedhjet në Shtime. Qemajl Aliu ka një mbështetje shumë më të madhe se subjekti politik atje”, është shprehur ai.

(Kosova Sot Online)