Policia i përgjigjet thirrjes “urgjente” të 4-vjeçarit: Ejani të m’i shihni lodrat

  • E.K /
  • 21 October 2021 - 12:21
Policia i përgjigjet thirrjes “urgjente” të 4-vjeçarit: Ejani të m’i shihni lodrat

Policia në Zelandën e Re, si rrallëherë, pranoi një telefonatë të këndshme në numrin për raste urgjente. Në telefon u paraqit një fëmijë, i cili, për fat të mirë, nuk kishte ndonjë rast vërtet urgjent.

Policia e publikoi bisedën me vogëlushin në rrjete sociale këtë javë bashkë me një fotografi, në të cilën ai shihet hipur mbi veturën e policisë, me kapelën e policit në kokë.

Forcat e rendit thanë se, ndonëse nuk i inkurajojnë fëmijët që të bëjnë telefonata në numrin për raste urgjente, incidenti ishte “shumë i bukur për të mos u ndarë me të tjerët”, shkruan Associated Press.

Biseda telefonike fillon në mënyrë të zakonshme: “Policia, ku është rasti urgjent?”

Pas një pauze, një djalë dëgjohet duke thënë me ngurrim: “Ç’kemi! Zonja e policisë?”

“Po. Çfarë po ndodh”, ia kthen zyrtarja policore.

“Hm, a mund t’ju tregoj diçka? I kam disa lodra për ty”, përgjigjet fëmija.

“Ke disa lodra për mua?”, pyet zyrtarja me habi.

“Po. Eja dhe shikoji”, ia kthen djaloshi.

Një burrë pastaj ia merr telefonin fëmijës dhe thotë se telefonata ishte gabim, duke shtuar se djaloshi e ndihmonte përderisa nënën e kishte të sëmurë.

Më pas, policia jep një njoftim përmes rrjetit të komunikimit: “Është një 4-vjeçar që po dëshiron t’ia tregojë policisë lodrat, mbyllje.”

“Po, unë jam më i duhuri, do të shkoj”, përgjigjet një polic.

Policia tha se zyrtarit policor që shkoi në shtëpinë e fëmijës iu shfaqën disa lodra në qytetin Invercargill. “Ai vërtet kishte lodra të bukura”, raportohet të ketë thënë polici.

Në njoftimin e policisë gjithashtu thuhet: “Fëmija me fat gjithashtu pati rastin ta shihte veturën patrulluese dhe oficeri i ndezi dritat për të, gjithashtu.”

(Kosova Sot Online)