A ka Rusia gisht në formimin e Asociacionit në Kosovë?

  • E.K /
  • 22 October 2021 - 10:41
A ka Rusia gisht në formimin e Asociacionit në Kosovë?

Kërkesa e palës serbe “Të themelohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe”, dhe mohimi i palës kosovare se “Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk do të formohet”, është bërë një lojë ping pongu në betejën diplomatike të dialogut Kosovë-Serbi nën ndërjmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Pala negociuese serbe ka paralajmëruar “përgjigje të fortë ndaj institucioneve të Kosovës nëse nuk formohet Asociacioni” përmes partisë politike serbe në Kosovë, përkatësisht Listës Serbe, se “nëse nuk nisim diskutimet për themelimin e saj” do të shkëputen nga institucionet e Kosovës.

Ndërkaq Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në anën tjetër, as që e diskuton formimin e saj.

“Nuk do të ketë asociacion të komunave me shumicë serbe. Nëse kjo ka qenë arsyeja që e kanë votuar Listën Sprska atëherë janë manipuluar qytetarë”, ka deklaruar Bislimi në një intervistë.

Asociacioni, atëherë dhe tash, sipas Zeljko Trkanjec.

Kryeredaktori i “Euractiv” dhe redaktori i politikës së jashtme në gazetën më të madhe kroate “Jutarnji List”, Zeljko Trkanjec, konsideron që nuk i leverdisë më as BE-së e as NATO-së, që të themelohet një Asociacion i tillë.

Posterë që nisën të vendosen në komunat me shumicë serbe në Kosovë, pas aplikimit të masës së reciprocitetit për targa nga Qeveria e Kosovës

“Mendoj se BE dhe NATO do të bëjnë çfarë është në fuqinë e tyre që Asociacioni të shpërbëhet si ide, sepse në kohën kur është vendosur kjo gjë situata në Bosnje ishte shumë më ndryshe. Ndërsa tash i gjithë komuniteti ndërkombëtar e ka të qartë se çka është Republika Srpska-s përbrenda Bosnjes”.

Zeljko Trkanjec, për AP tregon se “formimi i një asociacioni të tillë është minues i shtetësisë” por edhe i qëndrueshmërisë së shtetit të Kosovës.

“Dhe s’po flas vetëm për stabilitet. Po flas për sjellje destruktive. Situatë për të cilën Bashkimi Evropian dhe NATO-ja janë shumë të vetëdijshëm. Ata e dinë tani se formimi i Asociacionit të Komunave Serbe do të jetë një Republika Srpska tjetër”, elaboron ai.

“Kështu që, unë mendoj se ideja e diskutimit të këtij Asociacioni është e shkëlqyeshme: duhet të ri-diskutohet!”.

Një asociacion të tillë, konsideron Trkanjec, askush më nuk e do më në Ballkan, prandaj, thotë ai “duhet të ri-diskutohet”, në kuptimin e “heqjes nga diskutimi”.

Republika Srpska e paraqitur si entitet më vete në Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës

“Sepse nëse ka asociacion të tillë, do të jetë levë e Rusisë për të vazhduar politikat përmbysëse e destruktive sikurse në Republika Srpska. Dhe Serbia gjithashtu duhet ta dijë se duhet të largojë trysninë e madhe ruse. Ata s’e thonë kurrë këtë gjë, por ama e dinë e mirë, sepse 66 përqind e të gjithë shkëmbimit tregtar u shkon me Bashkimin Evropian”, argumenton profesori kroat.

Trkanjec gjithashtu konsideron se BE nuk do t’i bëjë presion Kosovës që të themelojë Asociacionin e komunave serbe.

“Asociacioni i komunave serbe është diçka që nëse implementohet, do të implementohet në fund të të gjitha proceseve dhe jo para tyre”.

“Askush” thotë ai “nuk do t’i bëj presion Kosovës që ta bëjë atë”, njëjtë sikurse “Serbisë që askush s’i bën presion që ta njeh Kosovën”.

Kosova – Serbia: Ilustrim

Por edhe se “Kosova ka një mjet të shkëlqyeshëm në dorë: Nëse Serbia kërkon Asociacion të Komunave Serbe, atëherë edhe Kosova kërkon Asociacion të komunave me shumicë shqiptare në Luginën e Preshevës”, argumenton Trkanjec.

Madje një gjë të tillë, sipas tij, “duhet ta ketë ndërmend dikush edhe në Qeverinë Kurti”.

“Pra këtu kemi të bëjmë me reciprocitet, marrë parasysh se Vuçiçi ishte edhe në gjendje të nënshkruante korigjimin e kufijëve, në lidhje me këtë çështje”.

Ndryshe nga Trkanjec mendon redaktorja e lajmeve të politikës, në gazetën e përditshme opozitare serbe “Danas”, Jasmina Llukaç, e cila në një përgjigje dërguar Albanian Post, thotë se “për Kosovën shansi i fundit që të njihej si shtet në vete ishte themelimi i këtij Asociacioni”.

“Por ky shans”, thotë Llukaç, “ka ikur tashmë”.

“Nuk ka patur vullnet politik në popull dhe te liderët e saj. Prandaj, ajo ka mbetur thjesht një letër e nënshkruar në Bruksel, e jo një fakt i Prishtinës e i Mitrovicës”, thotë ajo për AP.

Njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë

Kështu siç qëndrojnë gjërat, ai thotë se nuk sheh mundësi që Serbia ta njeh Kosovën, për shkak të Kushtetutës së Serbisë, por konsideron që, Vuçiç ka mundësinë që ta ndryshojë atë, por s’e bën.

Së pari, thotë ai, “duhet të presim se çka do të ndodh pasi Escobar tha se do të ndjekin politikanët e korruptuar. Qeveria e Serbisë është e stërmbushur me politikanë të korruptuar. Ne pamë dje në Letrat e Pandorës, që Ministri i Financave i Serbisë ka 24 apartamente në Bullgari, dhe ka blerë vetëm një, dhe 24 i ka nën një kompani të huaj. Pra, Serbia ka hapësirë të madhe që ShBA-ja t’u bëjë presion me këtë mekanizëm korrupsioni”.

Por, sa i përket normalizimit të marrëdhënies mes dy shteteve, ai konsideron se kjo mund të arrihet më shpejtë, dhe se pas zgjedhjeve të prillit në Serbi, Vuçiç do të mund të bëjë lëshime si, njohja e targave, njohja e pasaportave, dhe mos bllokimi i Kosovës në anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.

“Kjo do të jetë një situatë mjaft e favorshme për Serbinë, duke e ditur që do të kenë presion nga Rusia, e cila është garantuesja e saj e vetme për mos-lejimin e anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara”, përgjigjet Trkanjec.

Kosova në shpalljen e Pavarësisë së saj

Kur Serbia heq dorë nga dhe i hap derën për “anëtarësim në Kombe të Bashkuara, Kosovës”, thotë profesori kroat, “vetëm atëherë ndryshon situata. Dhe mendoj se kjo është mënyra apo skenari ku mund të vie zgjidhja e krizës mes Kosovës dhe Serbisë”.

(Kosova Sot Online)