Lumezi tregon numrin e viktimave të dhunës në familje për 9 muaj

  • E.K /
  • 25 October 2021 - 11:36
Lumezi tregon numrin e viktimave të dhunës në familje për 9 muaj

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, me rastin e fillimit të Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit, tha se gjatë këtyre viteve është mbështetur dhe fuqizuar Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmë të Viktimave, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Lumezi tha se është caktuar Koordinatorja nacionale për rastet e dhunës në familje dhe koordinatorët nëpër prokuroritë përkatëse, “janë caktuar prokurorët përgjegjës si pikë kontakti për rastet e trafikimit të qenieve njerëzore dhe prokurorët në të gjitha nivelet e prokurorive”.

“Këto janë disa nga veprimet e ndërmarra që dëshmojnë përkushtimin institucional që rastet e dhunës në familje, rastet kundër integritetit seksual si dhe luftimi i trafikimit me qenie njerëzore janë ndër prioritetet kryesore të punës së përditshme në kryerjen e detyrave kushtetuese dhe ligjore”, u shpreh ai ndër të tjera.

Lumezi theksoi se gjatë periudhës nëntëmujore të këtij viti, Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave ka ofruar ndihmë profesionale për 1584 raste të viktimave në total, prej tyre 1396 ishin dhunë në familje. “Ndërsa janë paraqitur edhe 445 kërkesa për urdhër mbrojtjeje dhe 36 kërkesa për urdhër mbrojtjeje emergjente”, u shpreh ai. 

(Kosova Sot Online)