Rama, BE-së: Nëse nuk na pranoni, atëherë na jepni para dhe njihni 'Open Balkan'

  • E.K /
  • 25 October 2021 - 14:08
Rama, BE-së: Nëse nuk na pranoni, atëherë na jepni para dhe njihni 'Open Balkan'

Edi Rama ka shkruar një editorial për 'Politico.eu' në formën e një letre dërguar BE-së, ku pasi sqaron pikëpamjen e tij të konsumuar tashmë, se bllokimi i Shqipërisë drejt anëtarësimit është faji ekskluziv i tyre, kërkon në këmbim që ata të njohin ‘Ballkanin e Hapur’ .

‘Shpresojmë që BE-ja dhe miqtë tanë të tjerë, në Londër dhe Uashington, të bashkohen me ne (Nismën ‘Ballkani i Hapur’) dhe të nxisin edhe të tjerët në rajon që gjithashtu të ecin përpara’, shkruan kryeministri i Shqipërisë.

Gjithashtu Rama ka, edhe një propozim tjetër për BE-në: Nëse Ballkani Perëndimor nuk mund të shkojë në BE, ndoshta BE mund të vijë tek ne nëpërmjet ndihmës ekonomike, investimeve si dhe mbulimit me para të emergjencave, si kjo energjetikja që po kalojmë.

 ‘Por, nëse Ballkani Perëndimor nuk mund të shkojë në BE, ndoshta BE-ja mund të vijë në Ballkanin Perëndimor. Ka hapa konkretë që mund të ndërmerren menjëherë. BE-ja mund të krijojë mekanizma bashkëpunimi që vendosin në mënyrë efikase disa nga përfitimet e dyanshme të anëtarësimit, pa e shtuar indinjatën e atyre që kundërshtojnë anëtarësimin tonë.

Për këtë qëllim, BE-ja mund ta mbështesë rajonin ekonomikisht përmes Planit të saj Ekonomik dhe Investimeve për Ballkanin Perëndimor, për të cilin tashmë janë identifikuar disa projekte. Por, duhet bërë më shumë, veçanërisht për të siguruar që rajoni të marrë pjesë plotësisht në tranzicionin digjital dhe të gjelbër të BE-së.

Këto tranzicione kërkohen për pjesëmarrje të plotë në ekonomitë evropiane dhe ne rrezikojmë të mbetemi pas. BE-ja mund të na ndihmojë gjithashtu të ruajmë mendjet tona më të ndritura me programe të përbashkëta të arsimit të lartë dhe integrimin në sistemin arsimor të BE-së, në mënyrë që të rinjtë të mund të gjejnë mundësi më të mira në vendin e tyre.

Vendet e Ballkanit Perëndimor mund të përfshihen gjithashtu në planet emergjente të BE-së, pasi së bashku po përballemi me një krizë potencialisht shkatërruese energjetike që mund të zhbëjë përparimin e këtyre viteve në rajon.

Ne duhet të sigurojmë që qytetarët tanë të mos mbeten të pambrojtur’, shkruan Rama mes të tjerave në këtë editorial.

Theksojmë se në asnjë rresht të editorialit të kryeministrit shqiptarë, nuk përmenden detyrat dhe kushtet e BE-së që nuk janë përmbushur nga ne; si lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, liria e medias dhe shumë të tjera.

(Kosova Sot Online)