Sulm në një qendër tregtare, dy të vrarë

  • E.K /
  • 26 October 2021 - 10:43
Sulm në një qendër tregtare, dy të vrarë

Së paku dy persona raportohet të jenë vrarë e katër të tjerë të jenë lënduar të hënën gjatë një sulmi në një qendër tregtare në Idaho të Shteteve të Bashkuara.

Një person i dyshuar është në ndalim, ndërsa policët po kontrollojnë në secilin lokal për ta vërtetuar sigurinë në objekt, tha policia lokale, duke shtuar se disa njerëz ende janë të ngujuar brenda.

“Nuk mund të theksoj mjaftueshëm sa traumatike është kjo ngjarje për komunitetin në përgjithësi dhe për ata që ishin dëshmitarë ose familjarë të personave të përfshirë ose të përfshirë vetë”, tha Ryan Lee, komandant i policisë në Boise.

Policia tha se forcat e sigurisë iu përgjigjën raportimeve për të shtëna rreth orës 1 e 15 minuta të pasdites sipas kohës lokale në qendrën tregtare “Boise Towne Square”, shkruan Fox News.

Policët që shkuan në vendin e ngjarjes hasën në një person që ngjante me përshkrimin e të dyshuarit dhe pati shkëmbim të të shtënave, tha policia. Një polic u plagos dhe i dyshuari u arrestua. Policia beson se i arrestuari ka vepruar i vetëm.

(Kosova Sot Online)