Dënimi me 8 muaj burgim për dhunimin e 15-vjeçares, Supremja kërkon të merren masa disiplinore

  • E.K /
  • 27 October 2021 - 10:55
Dënimi me 8 muaj burgim për dhunimin e 15-vjeçares, Supremja kërkon të merren masa disiplinore

Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, ka kërkuar nga kryetari i Gjykatës Themelore të Pejës, Armend Berisha, të adresojë përgjegjësinë disiplinore lidhur me aktgjykimin lidhur me rastin e dhunimit të 15-vjeçares nga Gjakova, me ç’rast dhunuesi u dënua me vetëm 8 muaj e 8 ditë burgim.

Kjo u bë e ditur me anë të një njoftimi të Gjykatës Supreme dërguar mediave.

“Lidhur me rastin e publikuar nëpër portalet e  ndryshme të lajmeve për dënimin e të akuzuarit  për veprën penale Dhunimi, e që pretendohet se ka pas shkelje ligjore, Kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Enver Peci, bazuar në kompetencat që ia jep Ligji Nr. 06/L-057 Për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ka kërkuar nga kryetari i Gjykatës Themelore të Pejës, Armend Berisha që të ndërmerr të gjitha veprimet ligjore si kryetar për të adresuar përgjegjësinë disiplinore lidhur me këtë rast”, thuhet në njoftimin e Supremes.

 “Kryetari i Gjykatës Supreme zotohet se çdo  rast i dyshimtë, pa përjashtim, nga bartësit e funksioneve gjyqësore, do te trajtohet ne mënyre efikase dhe te drejtë”, vijon ky njoftim.

Gjatë ditës së djeshme, Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, që të rishqyrtojë lëndën e prokurores Lirije Morina dhe nga të gjeturat të ndërmarrë  të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.


Prokurorja Lirije Morina u pajtua me dënimin e shqiptuar nga gjyqtarja e Gjykatës Themelore të Pejës Florije Zatriqi, prej vetëm 8 muaj e 8 ditë ndaj dhunuesit të së miturës, duke mos u ankuar në Gjykatën e Apelit.

Prokurorja Lirije Morina i kishte propozuar Gjykatës që ndaj dhunuesit P.K., të merreshin rrethanat lehtësuese, duke përmendur faktin se nga kryerja e veprës penale kanë kaluar gati 10 vite, deklaratën e të dëmtuarës të dhënë në polici dhe në prokurori se me rastin e marrëdhënieve seksuale nuk ka pasur lëndime etj.

Rrethanë lehtësuese për 31-vjeçarin, i cili në vitin 2012 ishte 21-vjeç kur kishte kryer veprën, është marrë edhe shoqërimi i tij me dy të mitur që sipas gjykatës, flasin për ‘pjekurinë e tij psikike’. 

(Kosova Sot Online)