Paralajmërohet axhendë të re për Ballkanin në marrëveshjen e koalicionit të ri qeveritar në Gjermani

  • A.P /
  • 27 October 2021 - 17:59
Paralajmërohet axhendë të re për Ballkanin në marrëveshjen e koalicionit të ri qeveritar në Gjermani

“Shumë në BE besojnë në një diskurs për Serbinë si shtet mafioz dhe shtet të krimit të organizuar, ky nuk është dezinformim. Ne duhet të shpjegojmë më shumë se ku është bërë përparim. Të gjithë e dinë se këtu në Beograd ka një prapambetje të madhe në demokraci, sundim të ligjit, liri të mediave, trajtim të opozitës”, tha Viola von Cramon, eurodeputete nga Partia e Gjelbër dhe raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian në panelin “Procesi i Berlinit – Çka do të ndodhë?” mbajtur në Beograd.

Von Cramon tha se e kuptojnë zhgënjimin e qytetarëve në rajon për shkak të premtimeve të paplotësuara për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por gjithashtu theksoi se institucionet e BE-së po punojnë për çështjet rajonale. Por, ajo tha se jo të gjitha vendet anëtare ndajnë të njëjtin interes për të ndihmuar në këtë qëllim.

“Ne kemi një grup aktiv në PE që merret me Ballkanin Perëndimor, por duhet t’i transferojmë temat e rajonit nga kjo flluskë në diskursin më të gjerë të vendeve anëtare, veçanërisht atyre që nuk e kanë idenë se çfarë po ndodh në rajon. Për shembull, presidenti francez e përdor këtë rajon vetëm për nevoja të brendshme, kështu është me Holandën dhe disa vende të tjera, për këtë jam e trishtuar”, deklaroi Von Cramon.

Ajo foli edhe se si mund të duket Procesi i Berlinit dhe politika e Gjermanisë ndaj Ballkanit Perëndimor pas ndryshimeve që do të sjellë formimi i qeverisë së re atje.

“Mendoj se të Gjelbrit janë mbështetja më e madhe për anëtarësimin e rajonit në Bashkimin Evropian. Të Gjelbrit do ta përfshijnë patjetër axhendën për Ballkanin Perëndimor në marrëveshjen e koalicionit (për formimin e Qeverisë në Gjermani). Shpresoj që ne mund ta vazhdojmë Procesin e Berlinit me më shumë energji, me më shumë dallim në krahasim me periudhën e mëparshme. Shpresoj që kancelari i ardhshëm i Gjermanisë të mos shkojë në Beograd dhe Tiranë, por në Mal të Zi dhe Shkup, për të vënë në dukje progresin që është bërë atje. Ne gjithashtu do të përpiqemi ta afrojmë Procesin e Berlinit me ato shtete anëtare që janë skeptike për rajonin, sepse nevojitet ndikim shtesë mbi politikanët në Paris dhe Hagë që të mbahet premtimi për zgjerim”, tha Von Cramon.

(Kosova Sot Online)