Pesë emrat që po synojnë pozitën e Sekretarit të përgjithshëm në Zyrën e Kryeministrit

  • G.G /
  • 29 October 2021 - 13:30
Pesë emrat që po synojnë pozitën e Sekretarit të përgjithshëm në Zyrën e Kryeministrit

Prej kohësh në pozitën e sekretarit të përgjithshëm të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës është Fitim Krasniqi. Mirëpo, ky emër më nuk është as në listën e ngushtë për t’u riemëruar.

Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka publikuar emrat e pesë personave, të cilët po synojnë të jenë në pozitën e sekretarit.

Lista e ngushtë për kandidatët që tashmë kanë vazhduar procedurën e mëtejme të rekrutimit për pozitën “Sekretar i përgjithshëm në Zyrën e Kryeministrit” janë: 1. Florim Canolli; 2. Arben Krasniqi; 3. Blerim Hasani; 4. Lulzim Beqiri dhe 5. Mentor Borovci.

(Kosova Sot Online)

Emri i parë, Florim Canolli, për momentin mban pozitën e drejtorit në Zyrën për Bashkëpunim Zhvillimor në Zyrën e Kryeministrit. Ai më parë ka mbajtur pozita që e kanë lidhur Kosovën me integrime evropiane, prej 2008-ës, kur është angazhuar në Zyrën e Kryeministrit në vitin 2008 në Agjencinë për Integrime Evropiane, e më pas në Ministrinë e Integrimeve Evropiane për 10 vjet.

Emri i dytë, Arben Krasniqi, ka mbajtur pozitën e drejtorit në Sekretariatin Koordinues të Qeverisë që nga viti 2014.

I treti në listë është Blerim Hasani, i cili gjithashtu është zyrtar në Qeverinë e Kosovës. Ai ka mbajtur pozitën e drejtorit të Departamentit për Planifikim dhe Analiza Socio-Ekonomike Rajonale në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal. Më pas ka mbajtur edhe pozitën e zëvendëssekretarit të përgjithshëm në Ministrinë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rajonal.

Më tej vjen Lulzim Beqiri. Ai mban pozitën e drejtorit në Departamentin për Integrime Evropiane dhe Koordinim të Politikave, që nga viti 2011.

Në fund, emri i pestë është Mentor Borovci. Prej vitit 2017 është drejtor i Zyrës Ligjore në Zyrën e Kryeministrit. Më herët ka mbajtur pozitën e drejtorit të njëjtë edhe në Ministrinë e Drejtësisë dhe të Diasporës. Në vitin 2004 ishte angazhuar si zyrtar ligjor në Zyrën e Kryeministrit deri në vitin 2006. Më pas kishte qenë drejtor departamenti për katër vjet në Agjencinë Anti-Korrupsion.

Këta janë pesë emrat e zyrtarëve, të cilët do të vazhdojnë procedurat e rekrutimit, deri në përzgjedhjen e njërit prej tyre.

(Kosova Sot Online)