Identifikohen dy të dyshuarit për vrasjen e 26-vjeçarit në Mitrovicë

  • E.K /
  • 30 October 2021 - 10:32
Identifikohen dy të dyshuarit për vrasjen e 26-vjeçarit në Mitrovicë

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka identifikuar dy të dyshuarit për vrasjen e 26-vjeçarit në Mitrovicë. Por, të njejtit ende gjenden në arrati.

Përmes një postimi në faqen zyrtare, Policia ka bërë me dije se rrjedha hetimore është duke vazhduar në koordinim me prokurorin e rastit në drejtim të kapjes së të dyshuarve dhe zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.

“Nga veprimeve të  deritanishme hetimore, hetuesit policor kanë identifikuar identitetin e dy personave të dyshuar të cilët mbesin në kërkim policor. Rrjedha hetimore është duke vazhduar në koordinim me prokurorin e rastit në drejtim të kapjes së të dyshuarve dhe zbardhjes  së plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin  e veprës penale  Vrasje”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, një i ri është therur për vdekje pak pas mesnatës në rrugën “Artim Jashari”, në Mitrovicë. Viktima është një 26-vjeçar me inicialet A.M.

Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Express zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

Deri te vrasja dyshohet se ka ardhur pas një mosmarrëveshje mes viktimës dhe dy të dyshuarve që ndodhen në arrati.

“Reth orës 00:15, të datës 30 tetor 2021,  është raportuar se në rrugën ” Artim Jashari” në Mitrovicë, se një person viktima mashkull  kosovar A. M. 26 vjeçar dyshohet se, pas një zënke- mosmarrëveshje, është  sulmuar fizikisht me një mjet të mprehtë (thikë) nga dy të dyshuar meshkuj  kosovarë të cilët gjenden në arrati”, ka thënë Zahiti.

Detaje për këtë rast ka dhënë edhe Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh. Sipas raportit, viktima pas pranimit të ndihmës së parë në Spitalin Rajonal Mitrovicë është transportuar në QKUK , ku edhe ka vdekur meqenëse s’ka mundur t’iu përballojë plagëve të marra.

“Viktima pas pranimit të ndihmës së parë në Spitalin Rajonal Mitrovicë është transportuar në QKUK i cili  duke mos u përballuar lëndimeve të marra ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar ekipi mjekësor. Njësit relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes ndërsa trupi i pajetë i viktimës me vendim të prokurorit  është dërguar në IML”, thuhet në raport.

(Kosova Sot Online)