Ambasadori i Gjermanisë: Është vonuar zbatimi i vendimit të Kushtetueses për Manastirin e Deçanit

  • E.K /
  • 01 November 2021 - 11:05
Ambasadori i Gjermanisë: Është vonuar zbatimi i vendimit të Kushtetueses për Manastirin e Deçanit

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde është pajtuar me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit është vonuar shumë.

Ai shkroi në Twitter se zbatimi arbitrar i sundimit të ligjit nuk është rruga që duhet ndjekur.

“Pajtohem plotësisht: Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 është vonuar prej kohësh siç rikujtoi Gjykata së fundmi. Zbatimi arbitrar i sundimit të ligjit nuk është rruga përpara”, shkroi ambasadori Rohde.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon e ka vizituar Manastirin e Deçanit. Ajo tha dje se Qeveria e Kosovës duhet ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë manastir.

“Toleranca dhe respekti i ndërsjellë janë thelbi i shoqërisë multietnike. Trashëgimia e Kishës Ortodokse serbe në Kosovë duhet të mbrohet dhe të gëzojë të drejta të plota. Prandaj i bëj thirrje Qeverisë së Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të vonuar prej kohësh tashmë, pasi sundimi i ligjit nënkupton trajtim të barabartë për të të gjithëve. Deçani duhet të jetë vend që bashkon gjithë qytetarët e Kosovës dhe ta zvogëlojë hendekun mes komuniteteve të saj, siç mund të luajnë rol konstruktiv Manastiri i Deçanit dhe ati Sava në dialogun shoqëror”, ka shkruar Von Cramon në Twitter.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës para pesë vitesh kishte marrë vendim për t’iu njohur e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë.

Institucionet e Kosovës deri më tani nuk e kanë zbatuar këtë vendim, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga komuniteti ndërkombëtar.

(Kosova Sot Online)