Gjendet i vdekur 41-vjeçari nga Kaçaniku që kishte dalë për të mbledhë kërpudha në mal

  • E.K /
  • 02 November 2021 - 08:51
Gjendet i vdekur 41-vjeçari nga Kaçaniku që kishte dalë për të mbledhë kërpudha në mal

Mbrëmjen e së hënës është gjetur pa shenja jete 41-vjeçari Muhabi Islami nga fshati Begrac i Kaçanikut, i cili ishte raportuar i zhdukur nga 9 qershori i këtij viti.

Policia e rajonit të Ferizajt përmes një komunikate për media ka deklaruar se trupi i pajetë i viktimës është gjetur në orën 17:30.

“Stacioni Policor në Kaçanik nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, dje rreth orës 17:30 ka pranuar një informacion nga një qytetar, se në malet e fshatit Begracë të Kaçanikut , saktësisht tek vendi i quajtur ’’ Lagjja e Qorupëve’’, ka hasur një trup njeriu i pajetë, i dekompozuar. Policia e Kacanikut dhe më pas hetuesit nga Sektori Rajonal i Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj , menjëhërë kanë dalur në vendin ku është gjetur trupi i pajetë i dekompozuar dhe ka nisur hetimet”, thuhet në njoftim.

Policia ka bërë të ditur se nga hetimet e para dyshohet se trupi i pajetë i personit të zhdukur është i Muhabi Islamit, i cili është në kërkim nga data 7 qershor.

“Nga hetimet e para, dyshohet të jetë trupi i pajetë i personit të zhdukur M.I (M/K) i moshës 43 vjeçar, i cili ishte në kërkim që nga data 07.06.2021. Me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, rasti është cilësuar ‘’Hetim mbi vdekjen’’ dhe trupi i pajetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion . Policia, në koordimin edhe me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, po vazhdon hetimet, duke grumbulluar dëshmi materiale dhe deklarative në lidhje me këtë rast dhe për informacione tjera deri në identifikimin e plotë të trupit të pajetë, do të njoftoheni me kohë”, thuhet në njoftimin e policisë.

(Kosova Sot Online)