Mashtruesit ia shitën shtëpinë pronarit, e gjen mjeshtrin në të

  • E.K /
  • 02 November 2021 - 10:46
Mashtruesit ia shitën shtëpinë pronarit, e gjen mjeshtrin në të

Pronari i një shtëpie në Luton ka treguar se si është tmerruar, kur u kthye në shtëpi dhe gjeti një “pronar” të ri duke jetuar në të.

Mike Hall ishte duke punuar në Uellsin Verior këtë vit, kur mori një telefonatë nga fqinjët, të cilët e informuan se dikush ndodhet në shtëpinë e tij në Luton, shkruan Daily Mail.

Pronari u kthye me veturë në shtëpi më 21 gusht dhe gjeti një ndërtimtar duke i përfunduar punimet në shtëpinë e tij. Nga shtëpia ishin larguar mobiliet dhe perdet.

Pronari më vonë mori vesh se shtëpia e tij i ishte shitur për 131.000 funte nga një person që ishte prezantuar me emrin e pronarit.

Për Radio BBC-në Hall tha: “E kam blerë shtëpinë në vitin 1990, kur sapo e kisha përfunduar universitetin dhe e kisha filluar punën time të parë. Më 20 gusht, fqinjët me telefonuan dhe më thanë se dikush është brenda pronës sime.”

“Të gjitha dritat ishin të ndezura dhe kjo ishte e çuditshme, sepse ata e dinin se askush nuk duhej të ishte në pronë dhe ata po hamendeshin nëse unë isha larguar apo e kisha shitur”, shtoi ai.

“U zgjova herët të nesërmen dhe vozita drejt Lutonit nga Uellsi Verior. Shkova para derës së hyrjes, e provova çelësin por nuk funksionoi. Një burrë ma hapi derën. E shtyva në njërën anë dhe u futa në pronë. Vërtet nuk e dija se çfarë po bënte ai aty”, tha më tej pronari.

Hall tha se i panjohur i tha se është duke kryer punime për pronarin e pronës. Në atë moment, pronari i vërtetë e thirri policinë.

(Kosova Sot Online)