Koncerti kthehet në tragjedi, 2 viktima një i plagosur

  • E.K /
  • 03 November 2021 - 13:30
Koncerti kthehet në tragjedi, 2 viktima një i plagosur

Një incident i rëndë është shënuar para nisjes së një koncerti homazh për grupin muzikor ABBA në Suedi. Dy persona kanë vdekur dhe një person i tretë është plagosur pasi një anëtar i audiencës ra nga kati i shtatë i një sallë koncertesh në Suedi, konfirmoi një zëdhënës i policisë për CNN.

Incidenti ndodhi mbrëmjen e së martës rreth 30 minuta përpara se të niste një koncert homazhe i ABBA në orën 19:30, sipas kohës lokale.

Rreth 1,000 njerëz ishin mbledhur për koncertin në qytetin Uppsala, rreth 70 kilometra në veri të kryeqytetit, Stokholm. Pak para fillimit të koncertit, një burrë rreth të 80-tave ra nga kati i shtatë, duke dëmtuar edhe dy të tjerë – një burrë dhe një grua rreth të 60-tave. Dy burrat ndërruan jetë ndërsa  gruaja e plagosur u dërgua në spital. Sipas policisë, ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia po heton se çfarë ka ndodhur saktësisht dhe pse personi ka rënë, tha zëdhënësi, ndërsa emrat e tre viktimave nuk janë bërë ende të ditur.

Salla e koncerteve u mbyll pas incidentit ndërsa policia mori në pyetje dëshmitarët në vendngjarje. Kompania që organizoi shfaqjen, MT Live shkroi në Facebook se koncerti i së martës u anulua dhe se “të gjithë janë në shok”. Grupi Abba vjen me muzikë të re pas 40 vjetësh, në një shfaqje ribashkimi te quajtur “Join us”.

(Kosova Sot Online)