Arrestimi i 7 të dyshuarve për plagosjen në Pejë, prokuroria pritet kërkojë paraburgim

  • E.K /
  • 03 November 2021 - 14:28
Arrestimi i 7 të dyshuarve për plagosjen në Pejë, prokuroria pritet kërkojë paraburgim

Prokuroria Themelore në Pejë, pritet që të kërkojë masën e sigurisë ndaj të dyshuarve për plagosjen e dy perosnave me armë në lagjen “Kristal” në Pejë, në të cilin rast, Policia e Kosovës (PK) arrestoi shtatë persona.

Prej tyre njëri dyshohet për tentim vrasje të rëndë, dy për ndihmë në kryerjen e veprës, kurse të tjerët për veprën penale të sulmit.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikqi.

“Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, mbrëmë nga dy grupe janë plagosur dy persona, ndërkaq Policia ka arrestuar 7 persona. Brenda afatit ligjor prokuroria do të kërkojë masën e sigurisë për prezencën e të pandehurve në procedurë penale dhe do të ndërmerren të gjitha veprimet hetimore për rastin në fjalë”, tha Nikqi.

Ndryshe, sipas policisë, në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar tri gëzhoja të armës të kalibrit 9 milimetra.

Policia ka njoftuar se rasti është cilësuar si tentim vrasje e rëndë dhe sulm, ndërsa me vendim të prokurorit, shtatë të dyshuarit janë dërguar në mbajtje dhe rasti po vazhdon të hetohet.

(Kosova Sot Online)