Kosova e dyta në rajon për nga rritja e çmimeve të produkteve ushqimore

  • E.K /
  • 04 November 2021 - 11:39
Kosova e dyta në rajon për nga rritja e çmimeve të produkteve ushqimore

Javët e fundit është vërejtur një rritje e theksuar e çmimeve për produktet bazë për konsum. Ngritjen e këtyre çmimeve e ka konfirmuar edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), duke shtuar se Indeksi i tërësishëm i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur kryesisht te produktet e mishit, qumështit, perimet, uji e lëngjet, lëndët djegëse dhe shërbimet hoteliere.

“Bukë dhe drithëra me 1.5 për qind, mish me 1.9 për qind, qumësht, djathë e vezë me 7.7 për qind, vajra dhe yndyra ushqimore me 28.2 për qind, perime me 19.7 për qind, sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira me 2.1 për qind, pijet alkoolike me 3.8 për qind, duhan me 2.7 për qind, gaz me 10.6 për qind, lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me 4.6 për qind, karburantet dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal me 26.7 për qind, shërbime për transport me 2.2 për qind, shërbime telefonike dhe të telefaksit me 20.3 për qind, pushime të organizuara turistike me 8.9 për qind, shërbime hoteliere me 2.3 dhe shërbime financiare me 6 për qind”, thuhet në raport.

Gjatë këtij muaji, një litër vaj ushqimor kushtonte 1.06 euro, ndërsa një vit më vonë ky produkt shitet për 1.54 euro. Gjatë shtatorit të vitit të kaluar, një kilogram oriz ka kushtuar 1.38 euro ku sivjet blihet për 1.42 euro, kurse 30 copë vezë gjatë muajit shtator janë shitur 2.57 euro nga 1.95 euro.

Me inflacion kuptojmë rritjen e vazhdueshme të nivelit të përgjithshëm te çmimeve.

Nga të dhënat e Trading Economics, del se Kosova është vendi i dytë me normën më të lartë të rritjes së çmimeve në rajon.

(Kosova Sot Online)