Albin Kurti: Zhvillimi ekonomik nuk mund të arrihet nëse nuk i japim përkrahje sektorit privat

  • E.K /
  • 04 November 2021 - 14:52
Albin Kurti: Zhvillimi ekonomik nuk mund të arrihet nëse nuk i japim përkrahje sektorit privat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk mund të arrihet zhvillimi ekonomik nëse nuk i japin përkrahje sektorit privat. 

Kurti gjatë takimit me komunitetin e biznesit të Prishtinës, në kuadër të fushatës informuese “Ditët e biznesit kosovar” të organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), tha se qeverisja e mirëfilltë, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia e qytetarëve janë vizion i qeverisë që e udhëheqë.

“Qeverisja e mirëfilltë, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia e qytetarëve janë vizioni i qeverisë tonë. Në programin qeverisës është përmirësimi i konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve. Dialogu i vazhdueshëm mes nesh është i domosdoshëm që vizionin e programin ta kthejmë të realizueshëm. Ne nxisim një dialog të nevojshëm për zhvillimin, punësimin dhe investimin. Zhvillimi ekonomik nuk mund të arrihet nëse nuk i japim përkrahje sektorit privat”, tha ai.

Kurti para sektorit privat tha se qeveria e Kosovës është e përkushtuar për të ndihmuar një sektor privat të qëndrueshëm.

“Sipas vlerësimit të BQK-së ka një rritje ekonomike prej 9.9 përqind të bruto produktit vendor, krahasuar me një vit të ardhurat janë shtuar për 33 përqind, eksportet me 68 përqind, ndërsa numri i të punësuarve është rritur”, tha Kurti.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se është tejet e rëndësishme dialogu në mes qeverisë dhe bizneseve private në Kosovë.

Ajo ka përmendur se si qeveri kanë ndërmarrë një sërë nismash ligjore për t’i dalë në ndihmë bizneseve në vend.

(Kosova Sot Online)