Gucati në Gjykatën Speciale: Jam i obliguar t’i mbroj të drejtat e liritë e popullit tim

  • E.K /
  • 08 November 2021 - 15:01
Gucati në Gjykatën Speciale: Jam i obliguar t’i mbroj të drejtat e liritë e popullit tim

Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati ka thënë se ndjehet i obliguar t’i mbrojë të drejtat e popullit të Kosovës, mbi të cilin ka theksuar se është kryer gjenocid nga ushtria e policia serbe. Ai këtë e ka thënë në deklaratën e tij mbrojtëse para trupit gjykues në Gjykatën Speciale në Hagë.

Gucati i cili tash e një vit po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ka thënë se do t’i mbrojë vlerat e UÇK-së dhe gjithë popullit të Kosovës.

“Vetëm gjatë marsit, prillit, majit e qershorit të vitit ’99 mbi popullin tonë janë kryer mbi 450 masakra e krime të gjenocidit serb, pa i përmendur ato të viteve ’90. Gjatë luftës së fundit në Kosovë janë vrarë mbi 1400 fëmijë e janë dhunuar mbi 20 mijë femra, janë vrarë mijëra pleq të mbetur e të palëvizshëm që nuk kanë mundur të largohen nga shtëpitë e tyre, as sot e kësaj ditë nuk dimë për fatin e mbi 1600 njerëzve pa folur për shkatërrimet e shumta që makineria ushtarake policore serbe ja ka shkaktuar vendit e kombit tim. Prandaj, është e drejtë e imja legjitime që t’i mbrojë të drejtat e vlerat e kombit tim, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e të Republikës së shtetit tim, të Kosovës, dhe këto vlera janë gjithnjë njerëzore. Unë jam i obliguar që t’i mbroj të drejtat e liritë e popullit tim, për një jetë më të mirë, më të begatë si të gjithë popujt e kontinentit tonë”, ka thënë Gucati para trupit gjykues.

Hysni Gucati po mbahet në paraburgim në Hagë prej 25 shtatorit të vitit 2020 kur edhe u arrestua në Prishtinë.

Ai bashkë me Nasim Haradinajn akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Këtë ngjarje ata e kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.

(Kosova Sot Online)