Tentoi ta kapë për fyti policen, akuzuara nuk paraqitet në seancë

  • E.K /
  • 09 November 2021 - 11:35
Tentoi ta kapë për fyti policen, akuzuara nuk paraqitet në seancë

Për shkak se e akuzuara XH.D mungoi pa arsye, ka dështuar të nis gjykimi në rastin ku ajo po akuzohet se në gusht të 2017-ës sulmoi policen Ajfer Gjigolli- Bllanca brenda stacionit policor.

Lidhur me mungesën e të akuzuarës gjykatësi Adnan Kamberi tha se gjykata më 28 shtator 2021 kishte lëshuar urdhëresë për verifikim adrese dhe nga stacioni policor Qendra ishte njoftuar se ishte bërë verifikimi në databazën e Policisë së Kosovës (PK), raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatësit Kamberi, policia ka njoftuar se e pandehura është kontaktuar përmes telefonit dhe ishte informuar për seancën e sotme, e njëjta, sipas policisë kishte deklaruar se do të paraqitet personalisht në gjykatë.

Mirëpo, gjykatësi Kamberi tha se deri në kohën e mbajtjes së kësaj seance, e akuzuara nuk është paraqitur në gjykatë.

Lidhur me sigurimin e prezencës së të akuzuarës në seancat radhës, gjykatësi tha se gjykata do të marrë të gjitha veprimet procedurale sipas dispozitave ligjore.

Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e shqyrtimit fillestar, seanca e sotme është shtyrë, kurse e radhës u caktua më 6 dhjetor të këtij viti.

Ndërsa, të pranishëm në këtë seancë ishin prokurori Besnik Jakupi dhe e dëmtuara Ajfer Gjigolli-Bllanca.

Sipas aktakuzës së ngritur më 26 shkurt 2018, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, XH.D po akuzohet se më 18 gusht 2017  në rrugën “Luan Haradinaj”, në stacionin policor Qendra, derisa e dëmtuara ishte ndaluar sipas urdhëresës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë- Departamenti për të mitur, e njëjta e ka sulmuar rreshteren, tani të dëmtuarën Ajfer Xhigolli- Bllanca.

Aktakuza thotë se, gjatë komunikimit në mes të akuzuarën dhe të dëmtuarës Gjigolli-Bllanca e cila ishte në kryerje të detyrës zyrtare, e akuzuara fillon të bërtas dhe ta ofendojë e pastaj papritmas ngritet nga karrigia dhe tenton ta kapë për fyti me të dy duart të dëmtuarën.

Tutje, aktakuza thotë se me këtë, e pandehura i shkakton lëndime të lehta trupore, disa gërvishtje me thonj në anën e majtë të qafës.

Me këtë ajo po akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” nga neni 410, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

(Kosova Sot Online)