Skandali shtetëror i organizuar përmes AKI-së, kërkohet hetim parlamentar

  • 09 November 2021 - 13:56
Skandali shtetëror i organizuar përmes AKI-së, kërkohet hetim parlamentar

Javë më parë u publikua një hulumtim që zbuloi skandalin e madh të përfshirjes së Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, në veprime që rrezikojnë rëndë sigurinë juridike në Kosovë.

Sipas raportimeve, ish-prokurori special, Sylë Hoxha në një marrëveshje gojore me ish-drejtorin e AKI-së, Driton Gashi, kanë përfshirë dy agjentë në këtë skandal.

Dëshmitë e tyre janë bërë shkak që ish-presidenti, Hashim Thaçi ta akuzonte Albin Kurtin dhe Glauk Konjufcën për lidhje me organizatën e shpallur terroriste “Syri i Popullit”.

Po ashtu, dyshohet se ata kanë dhënë dëshmi të rrejshme në gjykatë kundër anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Sadri Ramabaja, i cili akuzohet për dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës terroriste nga Murat Jashari.

Marrëveshja e Hoxhës dhe Gashit pa u njoftuar gjykata me këtë fakt, ka rezultuar me dhënien e identiteteve fiktive për ta dhe shpalljen dëshmitarë të mbrojtur në këtë proces.

Gjykata, kurrë nuk është njoftuar me këto veprime. Thjeshtë ka miratuar kërkesën e prokurorit për t’ju dhënë statusin e dëshmitarit.

Skandalet e një prej institucioneve më të rëndësishme në Kosovë, AKI-së, kanë kulmuar me arrestimin e një ish-punonjësi, nën dyshimin se ka zbuluar informacione që rrezikuan sigurinë e Kosovës.

Ndërkohë, Komisioni Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së, vazhdon të bëjë punën e tij, duke monitoruar këtë institucion.

Lidhur me këto skandale,kanë folur anëtarë të këtij komisioni, njohës të sigurisë si dhe Sadri Ramabaja, për të cilin dyshohet se janë dhënë dëshmi të rrejshme në akuzën për dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës terroriste nga Murat Jashari.

Por, a duhet që Komisioni për mbikëqyrjen e AKI-së të ndërmarr ndonjë iniciativë për hetime më të hollësishme ndaj Agjencisë së inteligjencës.

Musliu: Komisioni nuk përzihet në kompetenca të organit të akuzës

Deputetja e PDK-së, dhe kryetarja e Komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së, Ganimete Musliu ka thënë se ky komision është i vetmi autoritet brenda Kuvendit të Kosovës për ndërmarrjen e ndonjë hetimi parlamentar ndaj AKI-së.

Sipas saj, Komisioni për Mbikëqyrje të AKI-së, ndërvepron me AKI-në dhe kur ka dyshime të arsyeshme për shkelje të ligjit ndërmarrin masa.

“Komisioni për AKI është i vetmi autoritet brenda Kuvendit të Kosovës për ndërmarrjen e ndonjë hetimi parlamentar ndaj AKI-së, po që se ekziston nevoja për një gjë të tillë. Këtë mandat ia jep Ligji për AKI-në. Nuk nevojitet që për çështje të AKI-së të themelohet komision i veçantë (ad-hoc) nga ana e Kuvendit. Në këtë aspekt, komisioni është në ndërveprim të vazhdueshëm me AKI-në, dhe në momentin që ekziston dyshim i arsyeshëm se ka shkelje serioze të ligjit nga punonjës të AKI-së ne do ndërmarrim veprime ligjore konform ligjit”, deklaroi Musliu.

Ndërkaq, lidhur me skandalin e fundit, Musliu ka thënë se rasti është në duar të organeve të ndjekjes, ku komisioni nuk përzihet.

“Sa i përket keqpërdorimit të fundit, ajo është çështje në procedim penal dhe me të janë duke u marr organet e ndjekjes penale, gjegjësisht, policia dhe prokuroria, dhe Komisioni nuk përzihet në kompetenca të organit të akuzës”, përfundoi Musliu.

Kuvendi përmes trupave të dala nga ai bën punën e vet

Anëtari i komisionit për mbikëqyrje të AKI-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Gani Krasniqi, ka thënë se në fillim të javës së kaluar është zhvilluar një takim lidhur për gjërat që janë nën kompetencën e komisionit.

“Kuvendi, përmes trupave të dala nga ai, bën punën e vet, ashtu siç bën edhe Komisioni të cilit i përkas. Komisioni në fjalë, bën mbikëqyrjen demokratike të AKI-së, ku dhe për këtë qëllim, ka pasur një takim në fillim të kësaj jave, për çka dhe është njoftuar nga afër për të gjitha ato që është në të drejtë dhe kompetenca të tij”, u shpreh Krasniqi.

Ndërkaq, Sadri Ramabaja, për të cilin dyshohet se janë dhënë dëshmi të rrejshme në akuzën për dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës terroriste nga Murat Jashari, ka thënë  se bëhet fjalë për krim shtetëror të organizuar.

“Në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me një skandal të zakonshëm. Siç u dëshmua tashmë, fjala është për krim shtetëror të organizuar. Kjo duhet të jetë çështje e institucioneve të Shtetit, e mediave dhe e shoqërisë. Në provim për herë të dytë në rastin tim, është morali publik. Prandaj, unë nuk kam çfarë të iniciojë për aq kohë sa fjalën tashmë ex oficio e ka Prokurori i Shtetit”, tha Ramabaja.

Duhet të gjenden fajtorët juridik dhe ata politik

Për njohësin e çështjeve të sigurisë dhe inteligjencës, Drizan Shala, skandali i fundit në AKI përveç hetimit penal duhet të ketë edhe hetim parlamentar dhe se kjo sipas tij është në kompetencën e Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së.

“Në lidhje me skandalin në AKI duhet që të ketë hetim penal, por edhe parlamentar për të gjetur edhe fajtorët juridik, por edhe ata politik. Komisioni i AKI-së e ka nën mandatin e tij juridik që të hetoj nën frymën demokratike çdo parregullsi që ka dërguar në këto veprime”.

Kujtojmë se Prokurori i Shtetit ka paralajmëruar hetimin e skandalit të ish-prokurorit special, Sylë Hoxha dhe ish-shefin e AKI-së, Driton Gashit, në implikimin e dy agjentëve të AKI-së për dhënien e dëshmive të rrejshme në një proces gjyqësor.

Në një deklaratë për media, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Prokurori i Shtetit kanë paralajmëruar reagime ligjore ndaj skandalit.

“Prokurori i Shtetit siguron opinionin se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore lidhur me pretendimet e paraqitura sot në media, dhe për çfarëdo shkelje eventuale do të këtë reagime ligjore”, thuhet në reagimin e KPK-së.

KPK-ja dhe Prokurori i Shtetit, kanë thënë se nuk do të lejojnë cenimin e integritetit të sistemit prokurorial.

(Kosova Sot Online)