Nëna e pesë fëmijëve vdes në aksident

  • E.K /
  • 10 November 2021 - 10:11
Nëna e pesë fëmijëve vdes në aksident

Një nënë e pesë fëmijëve në Ohio të Shteteve të Bashkuara ka vdekur në një aksident me veturën elektrike, Tesla. Aksidenti ndodhi afër një shkolle fillore, tha policia.

Christy Corder ishte duke e vozitur veturën e vet elektrike të hënën në mëngjes, kur mjeti u rrotullua, pasi doli nga rruga, shkruan Independent.

Një mik i familjes konfirmoi për një medium lokal se Corder vdiq në aksident rreth orës 4 e 15 minuta të mëngjesit në rrugën “Gaskins” afër shkollës fillore në distriktin Clermont.

Mike Masterson nga Departamenti i Zjarrfikësve tha se fakti se vetura ishte elektrike e bëri të vështirë procesin e shuarjes së zjarrit.

Mediet lokale raportuan se vetura e viktimës goditi një shtyllë gjatë aksidentit, duke e lënë pa rrymë shkollën fillore që ndodhet afër vendit të ngjarjes.

Raportohet se procesi mësimor në shkollë u anulua për shkak të aksidentit. Zyrtarët thanë se autoritetet e shkollës kishin nevojë për një sasi të konsiderueshme kohe për ta menaxhuar skenën.

Gruaja që mbeti e vdekur në aksident la pas vetes dy fëmijë në shkollë fillore e tre të tjerë në shkollë të mesme.

(Kosova Sot Online)