Zyra e Auditimit: Financat e Qeverisë së Gjermanisë janë në gjendje kritike

  • E.K /
  • 10 November 2021 - 13:31
Zyra e Auditimit: Financat e Qeverisë së Gjermanisë janë në gjendje kritike

Financat e Qeverisë Federale të Gjermanisë janë në gjendje kritike dhe qeveria e ardhshme duhet t’i konsolidoj ato, tha të mërkurën Zyra Federale e Auditimit. Ky mund të jetë paralajmërim për partitë që po punojnë për koalicionin e ri, sepse ato po e shqyrtojnë rritjen e borxhit.

SPD-ja, Të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë përballen me problemin e shpenzimit masiv, pasi janë pajtuar gjatë bisedimeve që të kthehen në kufijtë e rreptë të borxhit nga viti 2023 dhe të shmanget rritja e taksave.

Burimet e afërta me bisedimet e palëve i thanë agjencisë “Reuters” javën e kaluar se ato po diskutojnë për hua më të madhe federale vitin e ardhshëm për ta mundësuar financimin e një fondi qeveritar shumëmiliardësh për investimet në mbrojtjen e klimës, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, Zyra Federale e Auditimit, në një raport për dhomën e ulët të kuvendit, paralajmëroi kundër zgjerimeve fiskale.

“Situata është serioze. Për t’i bërë financat federale të qëndrueshme përsëri, qeveria e re federale duhet të veprojë tani. Financat federale janë në një gjendje kritike. Pritja dhe shpresa për kohë më të mira ekonomike nuk do të mjaftojë për kthimin e qëndrueshmërisë financiare”, tha kjo zyrë.

Këshilltarët ekonomikë të qeverisë gjermane, parashikimet e të cilëve e udhëzojnë ekzekutivin për përcaktimin e politikave fiskale, e ulën parashikimin për rritje gjatë vitit 2021, nga 3.1 për qind, sa kishin vlerësuar në mars, në 2.7 për qind.

(Kosova Sot Online)