Osmani në Këshillin Atlantik: Krenare që përfaqësoj një popull që ka talent e potencial

  • G.G /
  • 11 November 2021 - 10:16
Osmani në Këshillin Atlantik: Krenare që përfaqësoj një popull që ka talent e potencial

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani këto ditë po qëndron për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Osmani së fundmi ka marrë pjesë në ndarjen e çmimeve të Lidershipit të Shquar 2021 në Këshillin Atlantik, ku prezentë ishte edhe artistja me famë ndërkombëtare Dua Lipa.

Në fjalën e saj, presidentja Osmani tha se ndjehet krenare që përfaqëson një popull që ka kaq shumë dhembshuri, shumë talent dhe potencial.

Presidentja tutje shtoi se Kosova është storia më e madhe e suksesit në politikën e jashtme.

“Mbështetja juaj ka qenë e paçmueshme. Por sot ne përballemi me shumë sfida, dhe ne shpresojmë të vazhdojmë të mbështetemi te të gjithë ju, ndërsa hapim një kapitull të ri në përpjekjet tona për të forcuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës. Kosova është fener i shpresës dhe i demokracisë. Vetëm 13 vite nga shpallja e pavarësisë tonë, sot ne kemi atë lloj të stabilitetit institucional, që shumë vende të tjera mund ta ëndërrojnë”, tha Osmani.

Osmani tutje përmendi edhe mbështetjen që Kosova u ka dhënë shtetasve afganë me strehimin e tyre.

“Ne u jemi bashkuar aleatëve tanë në misionet paqeruajtëse dhe jemi të nderuar që jemi ndër shumë vendet që ju kemi ofruar strehim Afganëve. Ne ishim vendi i parë që ju përgjigjem kësaj thirrje, sepse ne vetë ishim refugjatë. Kështu që ne nuk hapëm vetëm dyert, por gjithashtu mendjet dhe zemrat tona për të gjithë ata që kishin nevojë, dhe ne nuk mund të qëndronim indiferent ndaj aleatëve tanë në këtë përpjekje të rëndësishme. Jam shumë krenare të përfaqësoj një popull që ka kaq shumë dhembshuri, shumë talent dhe potencial që konfirmojnë qëndrueshmërinë se Kosova do të vazhdojë të forcoj shtet-ndërtimin e saj dhe do të jap një kontribut të madh në komunitetin ndërkombëtar për paqen e stabilitetin në rajon”, tha Osmani.

(Kosova Sot Online)