U raportua se ShBA-ja po shqetësohet për sulm të Rusisë ndaj Ukrainës, reagon Kremlini

  • S.A /
  • 12 November 2021 - 12:00
U raportua se ShBA-ja po shqetësohet për sulm të Rusisë ndaj Ukrainës, reagon Kremlini

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, të premten demantoi një raportim të medieve që sugjeroi se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se Moska do të mund të fillonte sulm ndaj Ukrainës, duke thënë se Rusia nuk paraqet kërcënim për askënd.

Ai iu referua një raportimi të medieve amerikane, në të cilin u tha se Uashingtoni e ka ngritur shqetësimin për sulmin e mundshëm të Rusisë ndaj Ukrainës me aleatët e vetë në Bashkimin Evropian.

Raportimi nga “Bloomberg” i përmendi lëvizjet e dyshimta të trupave brenda Rusisë si një nga arsyet për shqetësimin e Shteteve të Bashkuara, shkruan Reuters.

“Ne kemi thënë vazhdimisht se lëvizja e forcave tona të armatosura në territorin tonë nuk duhet të jetë shkak për shqetësim”, u tha Peskovi gazetarëve.

Ai shtoi se ky raportim i medieve në mënyrë të paarsyeshme i nxit tensionet Lindje – Perëndim. “Rusia nuk është kërcënim për askënd”, shtoi Peskovi.

“Nëse është e nevojshme, ne marrim masa për ta garantuar sigurinë tonë, nëse kundërshtarët tanë marrin masa përgjatë kufijve tanë”, tha më pas zëdhënësi i Kremlinit.

(Kosova Sot Online )