“Fushata elektorale nuk është shquar për respektimin e masave anti Covid”

  • E.K /
  • 12 November 2021 - 19:42
“Fushata elektorale nuk është shquar për respektimin e masave anti Covid”

Hulumtuesi nga Demokraci Plus, Emir Abrashi, vlerëson se gara për zgjedhjet e raundit të dytë që do të mbahen më 14 nëntor ka qenë me premtime të rëndomta.

“Ka qenë një garë e moderuar me tone të moderuara, me premtime të rëndomta. Nganjëherë kemi pas edhe disa projekte shumë të mëdha si në rastin e Prishtinës të cilat janë prezantuar nga kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës.” u shpreh Abrashi.

Tutje ai thotë se fushata nuk është shquar për respektimin e masave për mbrojtje nga pandemia dhe se ka pasur tubime më të mëdha sesa që lejohen me vendimet e Qeverisë.

“Mund të themi se kjo fushatë ka qenë në fakt shembullore krahasuar me fushata që vendet tjera i zhvillojnë rëndom. Në aspektin e gjuhës, në aspektin e respektit që kandidatët kanë treguar për njëri-tjetrin, në aspektin e toneve të cilat kanë qenë dhe në anën tjetër kemi pasur një fushatë e cila vlen të përshëndetet.”

Abrashi deklaron se është normale që të ketë përfshirje të kryeministrit në Zgjedhje Lokale. Por, sipas tij, do të ishte e udhës që kjo të bëhej krahas angazhimeve shtetërore dhe mundësisht jo gjatë orarit të punës.

Ai përmendi edhe debatin e zhvilluar në Rubikon të Klan Kosovës në mes dy kandidatëve për kryetarë të Prishtinës, ku vlerësoi përqafimet që sipas tij, tregojnë një nivel ndryshe të të bërit fushatë në Kosovës, në krahasim me vendet e rajonit.

“Nga programet e shpalosura deri më tani nga këta kandidatë, ne kemi parë një program kogja ambicioz të kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, megjithatë një program profesional. Dhe në anën tjetër e kemi pasur një program më “down to earth”, më normal, nga ana e kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, megjithatë i cili ka qenë i bazuar tërësisht dhe i varur tërësisht nga ekzekutivi.”

Tutje Abrashi tha se në Zgjedhjet Lokale rëndom ndodh që qytetarët i votojnë kandidatët dhe subjektet politike, dhe sipas tij kjo u vërejt edhe me rezultatin e zgjedhjeve lokale.

(Kosova Sot Online)