
Abdixhiku kalon testin e parë, LDK e rikthen Prishtinën me arkitektin nga Londra

LDK-ja u kthye aty ku ka nisur. Prishtinën ua rimori Përparim Rama, arkitekt nga Londra. I panjohur në skenën politike, Rama sot mposhti një nga politikanët më të popullarizuar në vend, Arben Vitinë.
Pakkush do të mund të parashikonte se gara në Prishtinë do të përfundonte siç përfundoi sot, kur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, prezantoi një djalë nga Londra, si kandidat të partisë së tij për Prishtinën.
Lëvizja Vetëvendosje, që fitoi si asnjëherë askush në zgjedhjet qendrore, kishte bërë gati një nga më pëlqyerit e popullit, Arben Vitinë, për kryetar të Prishtinës. Besohej se fitorja e tij ishte e ditur. Tanimë, partia e Albin Kurtit kryeqytetin e kishte kthyer në bastion.
Fillimisht u konsiderua sukses që Rama i LDK-së arriti të shkonte në balotazh me Vitinë. Sot, kur u mbajt rundi i dytë i zgjedhjeve lokale, ai doli fitues. Vitia ishte ndër të parët që njoftoi qytetarët e Prishtinës se tash ka një kryetar të ri dhe ai është Përparim Rama.
Rama 40.658 të votave, që nëse përkthehet në përqindje, i bie 51.07. Ndërkaq, Vitia mori 38.958 vota, apo 48,93 për qind.
Situatë tjetër ishte në rundin e parë të këtyre zgjedhjeve, kur Vitia doli i pari me 42.54 për qind. Tash është rritur për 2 mijë vota, ndërsa Rama për mbi 15 mijë.
Zgjedhjet lokale të këtij viti ishin testi i parë i Abdixhikut, që e mori partinë në ditët më të këqija të saj, pas disfatës në zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit.
Abdixhiku sonte shpalli fitoren edhe në Fushë Kosovë, Viti, Istog dhe Junik. Ndërkaq në rundin e parë ka fituar Lipjanin dhe Pejën.
(Kosova Sot Online)