Fund i një superfuqie; A po varroset hegjemonia amerikane në Lindje?

Fund i një superfuqie; A po varroset hegjemonia amerikane në Lindje?
Fund i një superfuqie; A po varroset hegjemonia amerikane në Lindje?

Fadil Maloku

  • 17 April 2026 - 13:14

Shkruan; Prof. Dr. Fadil Maloku, sociolog i globalizimit

Autori i njohur, Josep S. Nye, Jr., në librin e tij me titull “Is the American Century Over?”, që e shkroi qysh në vitin 2015, hodhi dyshimet e tij se edhe sa mund të qëndrojë superfuqia e shekullit të kaluar, SHBA-ja.

 

Autori në fjalë ndërton një argument interesant dhe të nuancuar: ai nuk shpall fundin e dominimit amerikan, por sfidon narrativat alarmiste për “rënien e pashmangshme” të SHBA-së. Nye argumenton se debati për “rënien e Amerikës”, që kohëve të fundit është aktualizuar aq shumë, sidomos me luftërat që Amerika i ka zhvilluar në Lindje e, në veçanti, luftën me Iranin në aleancë me Izraelin, në fakt është një debat ciklik që fillesat i ka qysh nga Lufta e Vietnamit e deri te intervenimi i NATO-s ndaj ish-krijesës artificiale që shquhej si Jugosllavi.

 

Mirëpo, lufta që Amerika është duke zhvilluar aktualisht me Iranin këtë debat e ka ashpërsuar aq shumë, saqë ka edhe mendime, madje edhe gjykime e konstatime, se kjo luftë do të shënojë definitivisht rënien e saj si lidere globale.

 

Por, a është kjo rënie absolute që mund dhe duhet të identifikohet përmes dobësimit real të kapaciteteve (ekonomike, politike, sociale, ushtarake dhe kulturore – teoria e Zbigniew Brzezinskit), apo është fjala këtu për një rënie relative që karakterizohet përmes ngritjes meteorike të Kinës dhe sidomos përmes BRIKS-it (Brazili, Rusia, India, Kina), një paradigmë e NATO-s për pamjen e ardhshme të botës? Dilemë kjo që shumë sociologë i ka futur në një rreth vicioz debatesh pro et contra rënies së Amerikës, e bashkë me të edhe sistemit vleror që ajo paraqiste në epokën e tendencës së globalizimit.

 

Por, duke u nisur nga paradigma sociologjike se fuqia (ekonomike, ajo politike e sidomos ushtarake) nuk është vetëm “hard power”, por edhe “soft power”, sociologu Nye thekson dhe beson se SHBA-ja ka ende avantazhe të mëdha në sferën e kulturës, universiteteve, inovacioneve teknologjike dhe vlerave demokratike, të cilat, si burime që determinojnë edhe prestigjin e përgjithshëm, mund ta vazhdojnë edhe më tej një ndikim më të qëndrueshëm amerikan sesa, bie fjala, fuqia ushtarake që po e bën aktualisht administrata e Donald Trump-it në Lindje.

 

Dhe se, për gjykimin e këtij autori, sfidat kryesore të Amerikës sot për sot nuk janë rënia e fuqisë së ndikimit, por përdorimi i gabuar i saj, pastaj polarizimi i brendshëm, si edhe paaftësia e kësaj administrate për të ndërtuar një konsensus global me Kinën dhe Rusinë.

 

Sipas kësaj logjike të këtij autori, shekulli amerikan nuk ka përfunduar ende “odisejadën” e vet të rënies, por është në një përpjekje permanente për t’u transformuar dhe për të mbetur edhe për një kohë lidership global.

 

Pra, konkluzioni që mund të dalë nga analiza e tij është se shekulli i dominimit amerikan nuk është “over”, por vetëm është duke kaluar nga një hegjemoní e pakontestuar në një rend më kompleks, multipolar dhe të ndërvarur me të gjithë “konkurrentët” dhe pretendentët tjerë po ashtu hegjemonë, sikurse janë Brazili, Rusia, India, Kina (BRIKS).

 

Shikuar nga perspektiva sociologjike, Nye pra nuk beson se Amerika është në proces “rënieje”, por në proces të ristrukturimit të pushtetit global dhe kalimit nga pozicioni i hegjemonisë lineare në pozicionin e fuqisë së ndërvarur. Por, unë mendoj se lufta në Ukrainë dhe sidomos kjo në Lindje, ku Amerika me Izraelin, duke e vënë në “shtratin e Prokrustit” tezën e paradigmës së globalizimit kompleks, definitivisht janë futur në “orbitën” e rënies së pakthyeshme...

 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".