Një ditë pas fitores, Rama flet rreth planeve për kryeqytetin, thotë se do ta ftojë Kurtin në Komunë

  • E.K /
  • 15 November 2021 - 10:37
Një ditë pas fitores, Rama flet rreth planeve për kryeqytetin, thotë se do ta ftojë Kurtin në Komunë

Kryetari i ri i Prishtinës, Përparim Rama, ka folur një ditë pas zgjedhjeve, rreth planeve të tij për kryeqytetin. Rama është deklaruar edhe rreth çështjes së zgjedhjes së drejtorëve. Ai është pyetur edhe për ndonjë koalicion të mundshëm për të krijuar shumicën në asamblenë komunale. Po ashtu, ai ka deklaruar se do ta ftojë Kryeministrin Albin Kurti për vizitë në Komunë.

Rama në një intervistë për EuronewsAlbania ka deklaruar se e ka pritur fitoren. Ai tha se garës i ka hyrë për të fituar.

I pyetur se cila është puna e tij e parë në krye të Komunës së Prishtinës, Rama tha se bashkë me stafin e tij do të bisedojë për misionin e transformimit rrënjësor të kryeqytetit.

Ai tha se lirimi i trotuareve është një ndër punët e para që do të bëhet në kryeqytet.


“Unë e kam cekur se punën e parë që do ta bëj, do ta grumbulloj stafin e Komunës, e do të bisedojmë për misionin tonë për të transformuar rrënjësisht kryeqytetin, Prishtinën. Dhe do të kemi biseda tjera që ne si punëtorë të Komunës, do me thënë ne jemi shërbëtorë të kryeqytetit dhe qytetarëve të Prishtinës, dhe duhet të sillemi si të tillë, pra ne jemi ambasadorë në këtë aspekt. Punën duhet ta marrim me seriozitetin më të madh dhe të fillojmë që në ditën e parë, unë e kam cekur se lirimi i trotuareve duhet të ndodhë menjëherë, dhe këtë do ta fillojmë menjëherë”, ka deklaruar Rama.

Rama ka folur edhe rreth çështjes së drejtorëve të rinj të Komunës së Prishtinës dhe deklaratës së tij se do të ketë drejtorë edhe nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Unë e kam cekur që nga fillimi dhe e kam parë këtë garë përtej partive politike, por për bashkim të njerëzve të mirë, të njerëzve profesionistë, që kanë mundësi menaxheriale. Luftën që e kemi, e kemi kundër kaosit urban dhe jo kundër njëri-tjetrit. Kjo është ideja, këtë edhe do ta bëjmë, kemi CV të ndryshme, nga të gjithë, pa përjashtime, e tash normal që duhet pas një pushimi disa ditor do t’i përveshemi punës dhe do ta zgjedhim kabinetin më të mirë të mundur për kryeqytetin dhe shumë shpejt do t’i bëjmë zyrtarë të gjithë emrat”, tha Rama.

Ndërkaq për koalicionet e mundshme për të pasur shumicën në asamblenë e Prishtinës, Rama tha se do të punojë bashkë me të gjithë asamblistët e të gjitha partive.

“Unë mendoj se koalicioni është më të gjithë, nuk kemi marrë ashtu ndonjë vendim, sepse kjo ndodhi dje. Do të punojmë tash, ashtu thellësit, të analizojmë, mirëpo ideja është të jemi përbashkues, të krijojmë një ekipë të fortë, të krijojmë një koalicion të përgjithshëm dhe t’i shtyejmë projektet e nevojshme për kryeqytetin, së bashku. Pra kjo është ideja, të gjithë asamblistët janë të zgjedhur nga populli dhe normal që ata duhet të punojnë bashkë me mua, për të mirën e qytetarëve dhe Prishtinës”, deklaroi Rama.

Rama u pyet nëse e sheh si pengesë faktin se me Qeverinë e Kosovës udhëheq Lëvizja Vetëvendosje, pasi kundërkandidati i tij Arben Vitia, kishte deklaruar se ai e ka mbështetjen e Qeverisë sepse vie nga e njëjta parti politike.

Po ashtu, Rama u pyet nëse do ta ftojë për vizitë në Komunën e Prishtinës, Kryeministrin Albin Kurti.

“Patjetër, do të kemi bashkëpunim të plotë, zoti Vitia më ka thirrur dhe më ka uruar fitoren, kështuqë e çmoj shumë atë. Dhe ka thënë se do të jetë bashkëpunues për çfarëdo dhe çkado që i duhet Prishtinës dhe qytetarit të Prishtinës. Unë nuk kam dyshim që do të kemi një punë të përbashkët, një punë fantastike me Qeverinë. Unë mendoj se ajo ka qenë më shumë si një proces i kampanjës dhe jo si diçka që do të kishte ndodhur, e kam vetëbesimin e plotë se bashkëpunimi do të jetë i plotë, sepse Prishtina është për të gjithë, do të ndërtohet për të gjithë. Dhe pikërisht do ta ftoj Kryeministrin Kurti që të jetë mysafir në Komunë, e të bashkëbisedojmë për planet e mëdha që i kemi për transformimin e kryeqytetit tonë, sepse kryeqyteti është i të gjithëve”, ka deklaruar Rama.

Ndryshe, Rama u zgjodh kryetar i Prishtinës në raundin e dytë të zgjedhjeve komunale. Ai ishte në balotazh me kandidatin nga Lëvizja Vetëvendosje, Arben Vitia.

Rama mori 51.07%, ndërkaq Vitia 48.93%.

(Kosova Sot Online)