Plenkoviq: Kroacia do ta ndihmojë Kosovën në çështjen e liberalizimit të vizave

  • E.K /
  • 15 November 2021 - 12:48
Plenkoviq: Kroacia do ta ndihmojë Kosovën në çështjen e liberalizimit të vizave

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq ka thënë se është i lumtur që pas dhjetë vjetëve gjendet në Kosovë.

Plenkoviq ka thënë se është biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për marrëdhëniet bilaterale e po ashtu edhe miqësore mes dy vendeve.

“Kemi shumë vend për të rritur më tepër ekonominë. Qëndrimi i përfaqësuesve të korporatave do të ndihmojë dhe do të kenë takim edhe me Telekomin”, ka thënë Plenkoviq, që ka folur edhe për aksidentin e autobusit me pasagjerë kosovarë në Kroaci para disa muajve ku vdiqën dhjetë mërgimtarë kosovarë.

Plenkoviq ka shprehur mirënjohjen ndaj mjekëve që kanë ndihmuar në rastin e aksidentit në Slavonski-Brod, ndërsa ka treguar se në vizitë me të në Kosovë është edhe njëri nga mjekët që ndihmoi pasagjerët e lënduar kosovarë Josip Samaxhiq.

“Ne punojmë që të ndihmojmë Kosovën në rrugën e saj evropiane e po ashtu do ta ndihmojë për liberalizimin e vizave. Ju e dini që Kroacia është anëtarja më e re aty dhe se do t’u ndihmojë sa i përket transformimit”, ka thënë Plenkoviq.

Ai ka thënë se shpreson që të vazhdojë dialogu Kosovë – Serbi.

(Kosova Sot Online)