Enver Hasani: Kurti duhet të ndaloj gropimin në zorrët e amerikanëve dhe aleatëve të tyre!

  • E.K /
  • 16 nëntor 2021 - 13:04
Enver Hasani: Kurti duhet të ndaloj gropimin në zorrët e amerikanëve dhe aleatëve të tyre!

Profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Hasani, përmes një shkrimi ka kritikuar qasjen tallëse të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kundrejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas Hasanit, dy talljet e para të Kurtit me Amerikën, “Amelika Amelika” dhe “Shtëpia e bardhë, shtëpia e kuqe” u pasuan nga një tallje më serioze, ajo e refuzimit të gazsjellësit amerikan duke i quajtur “Gypa” por që Kurti duhet ta kuptojë që çdo dështim amerikan dhe perëndimor për të bartur burime strategjike të energjisë në hapsirën e dizajnuar si strategjike nga rusët, nuk përbën pos një dështim kardianl në politikën e jashtme amerikane, devijim nga plani strategjik për sigurinë energjetike të aleatëve, rrezikim të sigurisë të Izraelit dhe të tjerëve në Lindje të Mesme dhe, në fund, ngecje serioze në politikat e balansimit të projektit imperial kinez.

Pjesë nga shkrimi:

Kosova nuk ngeli vetëm pranues i talljes, por u bë edhe prodhues i saj. Na kujtohen mirë talljet si: “Amelika-Amelika” dhe “Shtëpia e Bardhë e Shtëpia e Kuqe”, me të cilat synohej neutralizimi i kundërshtarit të brendshëm politik, pa vrarë mendjen as edhe një sekond mbi efektin e dëmshëm që mund të ketë për Kosovën dhe imazhin e saj në botë. Këtyre dy talljeve ua zuri vendin tallja më e re me gypat e gasit, të cilat u bënë metaforë e një përqeshjeje të amerikanëve dhe politikës së tyre të jashtme, në fakt përqeshjeje të gjeostrategjisë globale të Shtetit amerikan, strategjisë së tyre të madhe aktualisht në fuqi. Krejt irrelevante është nëse kryeministri Kurti ka qenë koshient se me këtë po ofendon dinjitetin e shtetit amerikan. Ne që ua mësojmë studentëve tanë të drejtën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, në javën e dhjetë prezantojmë leksionin mbi dinjitetin shtetëror dhe tregojmë se dinjiteti i shtetit futet në menynë e lirive dhe të drejtave të shteteve sovrane dhe të pavarura, që i gëzon secili shtet anëtar i bashkësisë ndërkombëtare, jo vetëm superfuqitë çfarë është aleati ynë i pashoq – SHBA. U muar vesh, edhe Kosova e vogël, e pa fuqi në këtë botë, gëzon të drejtën për dinjitet shtetëror me kuptim kërkesën ndaj shteti e individi për të respektuar ashtu siç përcaktohet sipas të drejtës ndërkombëtare.

(Kosova Sot Online)